Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës për lidhje me krimin. Duke folur për “Vendi im” në Tirananews.al, Ndreu thotë se Berisha nuk duhet të flasë, pasi ka vrarë dhe ka vjedhur në Shqipëri. “Ai është i akuzuar, më thotë mua për lidhje me krimin. Ai atë punë ka, atë muzikë ka, atë kasetë ka që kur ka lindur, që kur është futur në politikë. Ajo që më çudit është se ai ka mësuar disa njerëz që të kenë një farë frike në reagim karshi tij. Ai flet dhe të tjerët thonë, lëreni le të flasë Saliu. Jo! Do t’I përgjigjemi një për një! Sa herë të më përmendë emrin, do t’i përgjigjem mu në fytyrë sepse ai nuk ka absolutisht moral që të më përmendë mua. Ia kam thenë edhe në sy: -Deri në pesë breza, as nga nëna, as nga babai, nuk kam një kontigjent krimi, sikur një. Dhe jo vetëm që nuk e quaj veten pjesë të asnjë lloj loje kriminale, por jam krenar për këtë sepse as unë e as familja ime, as fëmijët e mi, as vllezërit e mi, asnjë, nuk mund të konceptohet që të kemi një problematikë të tillë. Ai ka aq problematika, sa minimalisht duhet të mbyllë gojën dhe s’mund të flasë, sepse ai ka vrarë, ka vjedhur, ka spiunuar, ka shitur e ka blerë e ç’ka s’ka bërë”, deklaroi Ndreu.
Kreu i Bashkisë së Lezhës siguron se ai dhe familja e tij nuk i kanë borxhe askujt. “Jam aq i qetë e aq mirë me veten time dhe familjen time sa nuk shoh asnjë problem. Eci rrugës së pazarit ditën, natën, vetëm, me makinë dhe nuk më ka ndodhur njëherë që unë të kem problem me dikë sepse nuk e kam parë veten kurrë në një tavolinë ku është diskutuar një problem kriminal. Kurrë në jetë”, deklaroi Pjerin Ndreu.
