Duke qenë pranë Enverit, unë jam dëshmitare e marrëdhënieve shumë të mira, korrekte dhe të besimit reciprok që ai ka patur me bashkëpunëtorin e tij të vjetër dhe të ngushtë, Hysni Kapon. Gjatë gjithë kohës, si në Luftë, edhe pas çlirimit, Enveri pati me Hysniun një bashkëpunim të frytshëm, në të mirë të punës së Partisë dhe të vendit. Edhe në aspektin shoqëror, marrëdhëniet e Enverit me Hysniun ishin shumë miqësore, ndryshe nga ato me Mehmetin, i cili bënte një jetë të mbyllur, kishte një karakter të ashpër, ishte hatërmbetur etj. Kurse Hysni Kapoja ishte njeri i thjeshtë, një udhëheqës i urtë, i drejtë, i dashur dhe komunikues me vartësit dhe me popullin. Prandaj jo vetëm anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, por edhe shumica e qytetarëve të thjeshtë, në Jug dhe në Veri, e shihnin Hysni Kapon si kandidatin e parë për pasues të Enver Hoxhës, në detyrën e Sekretarit të Parë të PPSH. Nuk mund të lija pa dhënë këtu përjetimet e mia kur i jam ndodhur Enverit pranë, duke e ndjekur me shqetësim të madh tërë ato ditë se si e ndiqte hap pas hapi sëmundjen dhe operimin e fundit që Hysniu bëri në Paris dhe se sa të rëndë e pati Enveri humbjen e parakohshme të Hysni Kapos.
Në kapitullin që i kam kushtuar figurës së Ramiz Alisë, nënvizoj disa momente që të linin të kuptohej se Ramizi mund të ishte pasuesi i Enver Hoxhës në krye të Partisë. Këtu theksoj se e vërteta është që në normat e vendosura dhe të miratuara nga forumet e Partisë së Punës nuk ka pasur ndonjë klauzolë për paracaktimin e zëvendësit të liderit. Në përputhje me këto norma, Enveri ua la strukturave dhe organeve drejtuese të Partisë që të merreshin dhe të vendosnin për këtë çështje në momentin e duhur, kur ta kërkonin situatat. Por, unë e kam ndier se, gjithsesi, një mendim të vetin për këtë problem Enveri e ka patur. Lidhur me këtë, sjell dy-tri raste që i kam përjetuar personalisht. Megjithëse janë të njohura, në këtë kapitull përmenden edhe rrethanat që çuan, në zgjedhjen e Ramiz Alisë si Sekretar i Parë i PPSH, gjë që ndodhi qetësisht, pa asnjë incident, duke zbatuar normat, në forumin më të lartë, në KQ, të zgjedhur nga Kongresi i Partisë.
Mund të bëhet pyetja: “Pse publikohen këto kaq vonë, pas 30 vjetëve?”. Kjo ka disa arsye. Plot 5 vjet unë i kalova e burgosur nga antikomunistët, të cilët bënë atë që nuk e realizuan dot pushtuesit fashistë. Përveç kësaj, ashtu si edhe pjesa dërrmuese e popullit shqiptar, edhe unë pata humbje të qetësisë shpirtërore, provova dhimbje dhe deziluzion të madh për ato që ndodhnin në vendin tonë në periudhën e gjatë të tranzicionit, për rrugën e mbrapshtë që mori i ashtuquajturi demokratizim i vendit dhe i shoqërisë shqiptare; për grabitjen e pasurive kombëtare dhe shkatërrimet e ekonomisë në emër të çuarjes së saj në kuotën “zero” etj., gjë që nuk kishte ndodhur në asnjë nga vendet e Europës Lindore. Të gjitha këto kërkonin një analizë të thellë dhe të gjithanshme nga studiues dhe historianë, gjë që nuk është bërë as sot e kësaj dite.
Duke sjellë qëndrimet e mia në vitet ’90-’91 ndaj zhvillimeve në Partinë e Punës dhe në mbarë vendin, si dhe ndaj hapave që ndërmori Ramiz Alia për demokratizimin e vendit, theksoj se unë e kam mbështetur atë, megjithë rezervat që kisha. Edhe kur pluralizmi politik u bë fakt i kryer, unë isha në mbështetje të vendimeve që morën Partia dhe Ramiz Alia dhe, kur kam qenë në kundërshtim me to, ia kam shprehur atij në sy. Gjithashtu, tregoj këtu se si e përballova “rrëshqitjen” e Partisë së Punës në sistemin pluralist, si dhe faktin që unë me shokët e Byrosë Politike, e gjithë Partia, rinia dhe shumë intelektualë kemi qenë kundër derdhjes së gjakut në një luftë civile mes popullit, kundër shkatërrimeve dhe vëllavrasjes, që kërkonin dhe nxitnin forcat e errta antikomuniste.
Theksoj këtu edhe faktin që unë nuk pata asnjë dilemë se ç’duhet të bëja në situatat e reja të krijuara. Si bashkëshortja e Enverit, por edhe si shoqja e tij në punë dhe në jetën politike, vendosa të mos tërhiqesha, por t’i qëndroja deri në fund besnike dhe, bashkë me fëmijët e mi, të vihesha në mbrojtje të figurës dhe të veprës së Enver Hoxhës.
Në libër vë në dukje se viti 1991 ka qenë viti më i rëndë në jetën time, politike e familjare, dhe përshkruaj sesi atë vit mua dhe familjes sime na u krijuan situata mjaft të rënda, nga përndjekjet, goditjet dhe dënimet e padrejta dhe antiligjore, që na u bënë. Me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, pasuar nga ardhja drejt shtëpisë sonë e turmave, që u sulën me kërcënime për djegien e shtëpisë, situata u acarua shumë, sa jeta jonë u vu në rrezik dhe ne ishim krejt të pambrojtur. Megjithatë, unë u kërkova prerazi atyre pak oficerëve të shërbimit, që erdhën vullnetarisht të armatosur, në mbrojtje të shtëpisë, të mos përdoreshin armët, ndaj u thashë: “Në asnjë mënyrë nuk duhet të derdhet gjak në shtëpinë e Enver Hoxhës. Lërini ta djegin!”.
Lidhur me shkallëzimin e goditjes që regjimi antikomunist bëri ndaj meje dhe familjes sime, theksoj se, meqë nuk kishin ç’t’i bënin Enverit, përveçse të kryenin aktin barbar ndaj varrit të tij, të gjitha rrufetë i lëshuan mbi mua dhe mbi familjen e Enver Hoxhës. Këto sulme dhe goditje ndaj meje kulmuan me arrestimin tim në befasi dhe me burgosjen time më 4 dhjetor 1991. Këtu nënvizoj se arrestimi im dhe procesi gjyqësor ndaj meje bëheshin thjesht për motive dhe qëllime politike, vetëm pse isha
bashkëshortja e Enver Hoxhës, për diskreditimin politik të familjes së Enver Hoxhës para opinionit publik.
Në Shënimet e burgut, që po i bëj publike këtu për herë të parë, përshkruaj, kushtet e vështira dhe trajtimet tendencioze që më bëheshin në burg, si edhe përjetimet e rënda që pata, kur mësova nga televizori rreth ngjarjeve makabre, që bëri pushteti antidemokratik për të më goditur mua drejtpërdrejt. Të tilla goditje qenë zhvarrimi barbar, i dhunshëm, në errësirën e natës, i eshtrave të Enver Hoxhës; burgosja e djalit tonë, Ilirit, vetëm e vetëm se dha një intervistë në shtyp, ku mbronte babain e tij; si dhe arrestimi i padrejtë i Klement Kolanecit, i shoqi i Pranverës.
Në disa faqe përshkruhen shkurt kalvari dhe qëndrimi im për 5 vjet rresht, në 3 burgje të vendit, përfshi edhe atë të sigurisë së lartë në Bënçë, të Tepelenës, larg nga familja. Sjell këtu edhe emocionet dhe gëzimin që ndjeva në momentin e daljes nga Burgu i Grave, nё Tiranё, më 10 janar 1997, kur u ktheva prapë në liri, pranë fëmijëve të mi të dashur.
Për herë të parë botoj në këtë libër edhe materialin “Nga jeta ime në një Dhomë, në Laprakë”, ku flas edhe për disa gjëra, që mendoj se janë me interes për lexuesin, sidomos për brezat e rinj, që duan të njihen edhe me anë të panjohura të jetës sime.
Pasi tregoj sesi jam përshtatur dhe e kam përballuar jetën time afro njëshekullore, me të gjitha peripecitë e saj, e përmbyll librin me një lloj ‘epilogu’, ku ndalem në figurën e Enver Hoxhës, sidomos në atdhetarizmin e spikatur të tij. Aty theksoj se tërë jetën dhe në gjithë veprimtarinë e tij, Enveri ka patur si gjënë më të shtrenjtë interesat kombëtare, pavarësinë dhe sigurinë e Atdheut, unitetin brenda vendit dhe imazhin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Duke theksuar domosdoshmërinë e vlerësimit objektiv të historisë së vendit tonë dhe të figurës së Enver Hoxhës, mbi të cilin, në këto vite të tranzicionit të gjatë, janë thënë shumë të pavërteta dhe është hedhur baltë, shpreh dëshirën time që të marrin fund sa më shpejt gjendja konfliktuale mes forcave politike të vendit dhe dukuritë e shëmtuara e shkatërruese, si korrupsioni, krimi, trafiqet e të gjitha llojeve etj., që Shqipëria, atdheu ynë i dashur, të shpëtojë sa më parë nga kaosi politik, ekonomik e shoqëror, ku e ka zhytur politika e mbrapshtë e të gjithë atyre pseudopolitikanëve që e kanë drejtuar këtë vend në këta 28 vjetët e fundit, dhe të hyjë në rrugën e normalitetit dhe të prosperitetit.
PASUESI I ENVER HOXHËS
Megjithëse nuk është e shkruar, është e njohur se udhëheqës i Partisë së Punës zgjidhej një nga anëtarët e Byrosë Politike, i zgjedhur disa herë në Byro, për pjesëmarrjen dhe cilësitë e tij të manifestuara në Luftën Nacionalçlirimtare, si dhe për kontributin e gjatë në ndërtimin e socializmit.
Njëri nga këta, që i përmbushte këto kritere dhe kërkesa ka qenë edhe Hysni Kapoja. Duke njohur aftёsitё dhe cilёsitё e Hysniut, nuk e pёrjashtoj qё Enveri nё mendjen e tij mund ta ketё piketuar atë si njeriun, kuadrin, udhёheqёsin qё mund ta zёvendёsonte. Por pёr kёtё problem Enveri nuk është shprehur ndonjëherë, nuk ka lënë ndonjë gjё tё shkruar. Vdekja e parakohshme e Hysni Kapos ia bёri shumё tё vёshtirё Enverit kthjellimin e idesё, lidhur me zёvendёsuesin e tij. Pёr mё tepёr, pak kohë më pas, ndodhi që nga radhёt e bashkёpunёtorёve tё tij tё ngushtё u vetёlargua edhe Mehmet Shehu.
Nё kёto kushte, kuadro të nderuar dhe me merita, anëtarë të Byrosë Politike ishin Adil Çarçani, Manush Myftiu, Rita Marko, Spiro Koleka, Haki Toska etj. Por këta ishin, tashmë, të moshuar, ndonjëri edhe me sëmundje të zemrës. Të tjerët ishin të rinj në funksione në udhëheqjen e lartë. Më i riu në moshë ishte Ramiz Alia, i cili qe 17 vjet më i ri se Enveri.
Është fakt që gjatë gjithë veprimtarisë së tij drejtuese, Enveri mendonte dhe e ka patur preokupim dhe merak të madh se nё dorё tё kujt do tё mbetej Partia, pas tij. Më kujtohet që në vizitën e fundit që bëri në vendlindjen e tij, në mars të vitit 1978, në një bisedë të shtruar me kuadrot e Gjirokastrës, Enveri, theksoi fort idenë që:
“… në vendin tonë, nuk duhet të ngjasë ajo që ngjau në BS e në ndonjë vend tjetër të kampit socialist që, me vdekjen e njërit a tjetrit udhëheqës kryesor, të krijohet një situatë e rëndë regresive në Parti dhe në gjithë vendin. Në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë në vendin tonë”.
Unë mund të them se janë rrethanat dhe zhvillimet që ndodhën në Partinë tonë ato që e shtynë Enverin të zgjidhte Ramiz Alinë si zëvendës të tij. Ai e bëri këtë nisur nga fakti se, ndër anëtarët e Byrosë Politike, atë e konsideronte si më të përgatiturin, me formim dhe me kulturë të gjerё, si dhe me përvojë pune në ushtri, me rininё, në parti dhe në shtet. Këto cilësi ai ia njihte prej kohësh Ramizit.
Njohja e Enverit me Ramiz Alinë, e ka fillesën që nga vitet e para të Luftës Nacionalçlirimtare, kur ky ende ishte në grupet aktive revolucionare antifashiste, në gjimnazin e Tiranës dhe më pas.
…Në Kongresin e 3-të të Partisë (1956) Ramizi zgjidhet kandidat i Byrosë Politike. Pa kaluar dy vjet, Enveri e tërhoqi pranë vetes Ramizin, duke e ngarkuar me detyrën e Drejtorit të Propagandës në Aparatin e KQ të Partisë. Ishte koha kur Partia po përballej me ngjarjet e bujshme, që po ndodhnin në Lëvizjen Komuniste ndërkombëtare, të shkaktuara nga politika e mbrapshtë e Hrushovit. Ky po krijonte probleme ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe disa partive të vendeve të tjera, ndër to edhe ndaj Partisë sonë të Punës, që ishin kundër vijës revizioniste hrushoviane…
Për përvojën që kishte fituar, Ramiz Alia, në Plenumin e 17-të tё KQ, tё datёs 11-12 korrik 1960, u zgjodh Sekretar i KQ për ideologjinë. Pas kësaj, në muajin tetor të atij viti, ai u dërgua, bashkë me Hysni Kapon në Moskë, për të punuar në Komisionin e redaktimit të projektdeklaratës së Mbledhjes së 81 partive komuniste të punëtore, që do të zhvillohej, në nëntor të atij viti.
Prandaj Enveri nuk do tё hezitonte ta caktonte Ramizin si anëtarin e katërt të delegacionit zyrtar të KQ të PPSH në mbledhjen e 81 partive komuniste. Në këtë delegacion, që e kryesonte vetë, Enveri kishte edhe dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun. Hysniu ishte i njohur, tashmë, nga të huajt, sidomos për qëndrimin e vendosur të tij në mbrojtje të vijës së PPSH në Mbledhjen e Bukureshtit. Ndërsa Mehmeti njihej mirë nga udhëheqësit sovjetikë, si mbështetës i Enver Hoxhës. Siç e kam pёrmendur, këtë ai e tregoi edhe kur u ndesh me ashpërsi me mareshalët sovjetikë dhe në takimin me Hrushovin.
Në Kongresin e 4-t të Partisë, që u zhvillua në shkurt 1961, Ramizi zgjidhet anëtar i Byrosë Politike. Ai ishte më i riu i këtij forumi të lartë. Në këto funksione, Ramiz Alia punoi për 25 vjet, duke bashkëpunuar nga afër me Enverin, deri më 1985.
Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në mbledhjen e Kuvendit Popullor, dhjetor 1982, me propozimin e Enver Hoxhës, Ramiz Alia u zgjodh Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke mbajtur njëkohësisht edhe funksionin e Sekretarit të KQ të Partisë.
I përmenda të gjitha këto, për të treguar se Enveri në vetvete, në njëfarë mënyre e kishte paramenduar Ramiz Alinë si pasues të tij. Këtë mendim timin unë e bazoj edhe në dy-tri momente, ku duket që Enveri e ka shprehur këtë, në një formë a në një tjetër. Konkretisht: Momenti kur Enver Hoxha ia prezanton Ramiz Alinë prof. Pol Miliezit, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri. Kjo ndodhi nga fundi i vitit 1984, pas festimeve të 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Enveri, në atë kohë, e kishte marrë disi veten, shkonte në punë, shëtiste nga pak dhe në shtëpi shkruante apo regjistronte në diktofonin e tij të vogël të dorës. Në nëntor, ai mori pjesë në ceremonitë zyrtare të festimeve të 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, si dhe në Mbledhjen Solemne, ku ishin ftuar edhe miq të huaj. Ndër ta ishte edhe prof. Pol Miliezi, mik i Shqipërisë, personalitet i njohur në Rezistencën Antifashiste franceze, kundër pushtuesve nazistë dhe i zgjedhur ministër Shëndetësie në Kabinetin e parë të Dë Golit. Por dr. Miliezi ishte edhe si mjek personal i Enverit, shërbim të cilin ai e kryente vetëm duke u informuar dhe duke bërë konsulta me mjekët tanë, kur vinte në Tiranë ose kur këta shkonin në Paris. Mes dy familjeve tona ishte krijuar një miqësi e ngushtë.
Kur mbaruan festimet e 40-vjetorit të Çlirimit, para se prof.Miliezi të largohej nga Shqipëria, Enveri e ftoi për një takim, në shtëpi, por jo për kontroll mjekësor. Përveç meje, si bashkëshorte dhe zonjë shtëpie, Enveri kishte ftuar në këtë takim, pikërisht Ramiz Alinë.
Përse, vallë? Me siguri, donte ta njihte prof. Miliezin me të. Për Ramizin, mjeku francez nuk ishte i panjohur, por nuk kishte pasur rast të bënte drejtpërdrejt me të.
Pas përshëndetjeve me mysafirin, Enveri bëri prezantimin e Ramizit dhe pastaj u ulëm. Më bëri përshtypje se Enveri e filloi bisedën me prof. Miliezin, duke i thënë: “Miku im, unë po plakem, me shëndet, siç ju e dini, nuk jam mirë, por ja, janë këta (dhe hodhi vështrimin nga Ramizi (Shën. im – N.H.), shokë të rinj, që do të na zëvendësojnë. Kemi shokë në udhëheqjen e Partisë, që kanë marrë pjesë në Rezistencën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në moshë të re”.
Më pas, Enveri dhe prof. Miliezi zhvilluan një bisedë të ngrohtë, për çështje nga më të ndryshme politike, kulturore etj.
Duke ndjekur bisedën, unë do të vija re se dr. Pol Miliezit i lanë përshtypje të veçantë ato fjalë të Enverit, që citova më sipër. Kjo u duk edhe në letrën që prof. Miliezi i dërgoi Enverit me të mbërritur në Paris (më 6 dhjetor 1984). Kjo letër flet shumë. Ai i shkruante:
“Falemnderit për shenjat e dukshme (des marques tangible) të besimit tuaj (votre confiance) dhe të dashurisë suaj (affection). Gruaja ime dhe unë vetë jemi shumë të prekur. Ju uroj jetë të gjatë, për të mirën e Shqipërisë së re. Kini mirësinë t’i transmetoni zonjës Hoxha nderimet e mia, të besoni në ndjenjat e thella që më lidhin me popullin tuaj të guximshëm dhe me ju”.
Momenti tjetër është rasti kur Enveri, ishte i sëmurë, në shtëpi, dhe priti në takim Ramiz Alinë, i cili erdhi pa lajmëruar. Unë u habita dhe mendova gjatë për këtë, sepse Enveri, kur gjendej i shtrirë në krevat, në asnjë rast nuk priti ndonjë shok të Byrosë Politike a të Qeverisë, as për takim pune, siç e kishin rekomanduar mjekët. Ndërsa atë ditë, për Ramizin, ai bëri përjashtim, megjithëse sapo kishte kaluar krizën e zemrës. Më bëri përshtypje se ai e priti menjëherë. Ramizi kishte ardhur t’i merrte mendim Enverit, lidhur me një provokacion të rëndë, që kishte ndodhur nga ana e grekëve, në kufi.
Ndërsa ata të dy bisedonin, unë vazhdoja të pyesja me vete: Përse, vallë, e bëri këtë përjashtim Enveri? Kuptohet, nuk i rashë në sy, por një sinjal e mora prej tij, kur, pasi u largua Ramizi, Enveri tha: “I shkreti Ramiz, ç’barrë e madhe i ra mbi kurriz”.
Me sa kuptova, nuk e kishte fjalën thjesht për atë provokacionin në kufi, por për një përgjegjësi shumë më të madhe, që e priste Ramizin…
Krahas këtyre dy momenteve që përmenda, unë kam bindjen se Enveri e ka shprehur edhe më drejtpërdrejt mendimin e vet për Ramizin si pasues të tij, sidomos në rastin, kur ai thirri të vinin në shtëpi Ramiz Alinë, Adil Çarçanin dhe Hekuran Isain.
Ishte koha kur mendoj se Enveri qe bërë i vetëdijshëm për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore. Ai i thirri dhe i priti këta tre shokë në studion e tij, vetëm disa ditë a ndonjë javë para ndarjes fatale.
Para se ata të hynin në dhomë, Enveri hoqi dhe vuri nga pas krevatit shishet e serumit. Pasi u përshëndet me shokët, ai zhvilloi me ta një bisedë të shkurtër dhe, në fund, u tha këto fjalë, që janë konsideruar si amaneti i fundit i Enverit:
“Ja, shokë, jam i sëmurë, prandaj u vini krahët punëve… Ti Ramiz, ndiq problemet politike të Partisë e të Shtetit; Ti Adil, ndiq zhvillimin e ekonomisë së vendit; Kurse ti Hekuran, bëj kujdes për rendin publik të brendshëm dhe për sigurinë e vendit nga armiqtë e jashtëm”.
Dhe, kur natyra do tё bёnte ligjin e vet, siç thoshte Enveri, më 11 prill 1985, Byroja Politike e KQ botoi komunikatën, ku i njoftonte popullit shqiptar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës dhe, pa vonesë, të nesërmen, mblodhi Plenumin e KQ, ku, në emër të Byrosë Politike, Adil Çarçani propozoi zgjedhjen e Ramiz Alisë si Sekretar të Parë të Partisë së Punës. Propozimi u miratua unanimisht. Ndodhi ashtu, siç e dëshironte Enveri, në mënyrë dinjitoze, pa ndonjë ekses apo problem.
Në vitet e tranzicionit është ngritur shpesh pyetja: “Pse Enveri zgjodhi Ramiz Alinë si pasues të tij?”. Madje, thonë se unë paskam ndikuar tek Enveri për zgjedhjen e Ramizit, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
Unë iu përgjigja më sipër kësaj pyetjeje dhe dua të shtoj se për sa i përket asaj që flitet për ndikimin tim në këtë vendim të Enverit, nuk ia vlen fare të ndalem. Sepse ajo është një thashethemnajë e sajuar nga njerëz, të cilët nuk e kanë idenë se në Partinë e Punës ishte e pakonceptueshme që vendimet zyrtare të saj të bëheshin paraprakisht objekt diskutimi në familje apo në bisedat bashkëshortore. Është qesharake të mendohet që unë, gruaja e Enverit, t’i thosha shokut tim të jetës “të lërë pasues këtë apo atë, pas vdekjes së tij!!”. Unë me Enverin dhe ai me mua, nuk biseduam kurrë se “ç’do të bëhet me mua dhe me fëmijët tanë, pas…”. Neve as na shkonte mendja dhe as nuk na e zinte goja të përmendnim vdekjen e tij e jo më të flisnim për emrin e atij që do ta zëvendësonte etj., etj… Prandaj unë e hedh me neveri në shportën e marrëzive edhe këtë budallallëk të trashë.