Më 10 prill të këtij viti, Orges Bilbili, një nga të shumëkërkuarit që akuzohet për vrasje u plagos me armë zjarri nga një efektiv i forcave “Shqiponja” në zonën e Xhamllikut.
Sipas dëshmisë së efektivit që plagosi Bilbilin, i shumëkërkuari kishte nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë dhe ia ka drejtuar efektivit duke i thënë të mos afrohej sepse do e vriste.
Në dëshminë e tij, polici që e prangosi rrëfehen detajet e përdorimit të armës ndaj një personi që vrapoi dhe s’iu bind urdhrit “Ndal, policia!”.
“Nga një çantë brezi që mbante krahaqafë ka nxjerrë një armë zjarri, tip pistoletë, të cilën e manovroi në duar për ta mbushur dhe ma drejtoi mua duke më thënë: “Mos u afro se do të vras, mos u afro se do të vras”. Duke parë se nuk po i përgjigjej thirrjes sime dhe kërcënimit real që po më bënte me armën drejtuar, kam mbushur armën time dhe kam qëlluar një herë në ajër”, tha polici.
Efektivi tregon se Orges Bilbili u largua me vrap dhe herë pas here kthente kokën duke i drejtuar armën, ndërkohë që situata kulmoi kur Orges Bilbili u ul të kapte armën që i ran ë tokë teksa vraponte, raporton A2.
“I ndodhur në këto kushte, përballë një rreziku të vërtetë për jetën, të padrejtë dhe të çastit, kam qëlluar dy herë me armë në drejtim të gjymtyrëve të poshtme të tij, me qëllim ndërprerjen e veprimeve dhe neutralizimin e tij, pasi isha i bindur se ky person do të më qëllonte. Ai u rrëzua i plagosur në rrugë. I largova me këmbë armën që i ra në tokë dhe prita kolegun. Njoftova Sallën Operative duke kërkuar përforcime dhe autoambulancë”.
Nga të shtënat u plagos edhe një kalimtare, ndërkohë që Orges Bilbili është i pandehur edhe në Gjykatën e Posaçme, si një nga autorët e ngjarjes së 11 tetorit në Lushnjë, ku u vranë dy vetë dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa akuzohet edhe për “kanosje për shkak të detyrës” dhe “armëmbajtje pa leje” për ngjarjen e 10 prillit.