Një 15-vjeçar u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar i tij këtë mëngjes në Gjirokastër. Të dy 15 vjeçarët janë parë duke debatuar në prani të vajze të mitur, 13 vjeç. Fillimisht u mendua se ishte vajza që e kishte plagosur me thikë djalin nga Tepelena që jetonte në konvikt në Gjirokastër dhe ishte nxënës i shkollës së mesme.
Ngjarja ka ndodhur pranë një njësie që shet fruta-perime. Gruaja që ishte duke sistemuar furnizimet ka dëgjuar fillimusht thirrjet e djalit të plagosur dhe më pas të qarën e vajzës 13-vjeç që kërkonte ndihmë për shokun e saj. I mituri u ndihmua nga kalimtarë të rastit pasi kishte gjakderdhje serioze nga plaga që ka marrë në pjesën e barkut. Gjendja e 15 vjeçarit është e stabilizuar dhe goditja nuk i ka shkaktuar dëmtime të organeve vitale.
Policia ka kapur dhe shoqëruar pak minuta pas ngjarjes 15-vjeçarin që kreu plagosjen si dhe po pyet 13-vjeçaren që ishte dëshmitare në vendngjarje. Besohet se konflikti mes të dy djemve kishte nisur më parë për shkak të vajzës 13-vjeç nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi”. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Gjirokastër, familjet e të miturve të përfshirë si dhe bashkëmoshatarë të tjerë. Policia po pyet edhe nxënës të tjerë miq të të tre të miturve për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat.
