Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina është e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara për të arritur paqen. Ai se që nga fillimi i vitit, Ukraina ka mbështetur “të gjitha hapat dhe lidershipin vendimtar të Trump, çdo propozim të fortë dhe të drejtë për t’i dhënë fund kësaj lufte”. Komenti i tij vjen pasi mediat kanë publikuar një plan paqeje të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Vetëm Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fuqi të mjaftueshme për t’i dhënë fund luftës një herë e përgjithmonë”, u shpreh Zelensky, që ndodhet në Ankara për bisedime për paqen.
Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se udhëheqësi turk Rexhep Tajip Erdogan kishte propozuar formate për negociata që i mbështet, ndërsa shtoi se duhet që të prodhojnë rezultate.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë në çdo format tjetër kuptimplotë që mund të prodhojë rezultate. Por gjëja kryesore për të ndaluar gjakderdhjen dhe për të arritur paqe të qëndrueshme është të punohet në koordinim me të gjithë partnerët dhe që lidershipi amerikan të mbetet efektiv, i fortë dhe të sjellë një paqe afatgjatë që garanton sigurinë për popullsinë“, përfundoi Zelensky.
Megjithatë, pavarësisht kësaj deklarate të presidentit ukrainas, media amerikane Axios raporton se Zelensky nuk është i interesuar të diskutojë planin e SHBA-së për Ukrainën dhe për këtë arsye zgjodhi të mos takohet sot me Përfaqësuesin Special të SHBA-së Steve Ëitkoff në Ankara. Sipas Axios, Ëitkoff kishte planifikuar të takohej sot me Zelenskyn dhe ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në Ankara, por takimi u shty.
