Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nis sot një tur në Ballkanin Perëndimor, pas alarmit ukrainas për një plan rus për luftë në rajonin tonë. Do të ndalet në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa pasdite do të vizitojë Prishtinën ku ka planifikuar takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Gjithashtu, do të ketë një ndalesë në bazën e KFOR-it.
Më 21 nëntor, do të zhvendoset për në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren Ana Bërnabiç. Po në të njëjtën ditë, do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, ku parashikon takime me liderët e këtij vendi.
Në përmbyllje të turit të tij në Ballkanin Perëndimor, Stoltenberg do të marrë pjesë në një takim me liderët e vendeve aleate nga rajoni, ku do të jetë i pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.