Grupi i ekstremistëve të djathtë dhe ish-eprorët ushtarakë të cilët kishin planifikuar grusht shteti në Gjermani, ishin furnizuar me armë dhe kishin plane konkrete, ka thënë shefi i inteligjencës gjermane, Thomas Haldenwang, raportojnë mediat e huaja.
“Grupi në fjalë kishte rrjet të madh në mbarë vendin, kishin plane precize, ishin të gatshëm të përdornin dhunë, madje në axhendën e tyre përshihej edhe vrasja e njerëzve”, deklaroi Haldenwang për televizionin publik ZDF të mërkurën në mbrëmje.
Ai tha se grupi ishte nën vëzhgim nga agjencitë e sigurisë gjatë muajve të fundit, kurse autoritetet vendosën të ndërmerrnin një operacion antiterrorist pasi u bë e qartë se grupi kishte plane konkrete për të përmbysur qeverinë me mjete të dhunshme.
Shumica e të dyshuarve ishin pasues të lëvizjes së ekstremit të djathtë Reichsburger (Qytetarët e Rajhut), e cila kundërshton legjitimitetin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe besojnë se vendi drejtohet nga anëtarët e të ashtuquajturit “shtet i thellë”.