Pamjet pothuajse artistike, por gjithsesi surreale nuk janë pjesë e një stërvitje ushtarake, por praktikisht përditshmëria e qytezave franceze përreth Dunkirk, jo larg kufirit me Belgjikën, ndërkohë edhe pika më e afërt që ndan kontinentin me brigjet angleze.
Duke filluar nga pranvera dhe deri në ditët e sotme, mijëra të dëshpëruar që vijnë nga vendet më të ndryshme të botës mblidhen për të kaluar kanalin e La Manche me anë të gomoneve, udhëtime të menduara në çdo detaj nga organizata që po përfitojnë shuma marramendëse me trafikun e qenieve njerëzore.
Çdonjëri prej tyre, i larguar nga lufta, persekutimi, por edhe thjesht nga skamja, paguan rreth 3 mijë paund për shpresën e një të ardhme më të mirë, të rinjtë për veten, më të moshuarit të paktën për fëmijët e tyre.
Sipas statistikave, ky vit ka shënuar një rekord në ardhjen e emigrantëve me këtë itinerar të rrezikshëm. Nga fillimi i vitit deri më tani kanë ardhur më shumë se 35 mijë të tillë, ndërkohë që rekordi ishte 28.526. Prej tyre, sipas ministrisë së Brendshme britanike, të paktën 60 % janë me origjinë shqiptare.