Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka festuar me këngë miratimin e propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke hapur rrugën e integrimit me BE-në.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, Ahmeti, së bashku me zëvendësministrin e Brendshëm, Nazim Bushi, shfaqen të gëzuar, e ku në sfond dëgjohet një këngë me çifteli.
“Na u bënë patare o u plaçin sytë, po i ndez serbët e po shkon çetnikë”, janë disa prej vargjeve të këngës.
“Kryetari Ali Ahmeti vulosi orientimin ideologjik të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në Bashkimin Europian. Bashkë PËR Maqedoni Europiane”, ka shkruar Bushi.
“Maqedonia e veriut nuk është Ukrainë dhe Europa nuk është Rusi për të dal në protesta udhëheqësi i opozitës me bluzë të gjelbër si një ëannabe Zelenski nga AliEkspresi. Dhe ashtu siç edhe pritej, forcat regresive në shërbim të agjendave të huaja dështuan dhe qytetarët nuk i përkrahën. Sot ngadhnjeu Maqedonia Europiane dhe forcat progresive në vend, sot ngadhnjeu bashkëjetesa, ardhmëria dhe shpresa. Urime qytetarë, urime vendit. Kthim prapa SKA”, shkruan nga ana tjetër Ahmeti.