Një 54-vjeçar është proceduar nga Policia, pasi u kap në kufi me një shumë parash të padeklaruara.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në çantën e shtetasit Dh. P., gjetën 44 750 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ky person nuk e kishte deklaruar këtë shumë parash, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve, strukturat hetimore të DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 54-vjeçarin, banues në fshatin Dhuvjan, Gjirokastër, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.