Një grup turistësh prej 150 personash po mbahen peng nga një grup indigjen në Peru, pasi u kapën gjatë një udhëtimi me varka në një degë të lumit Marañón. Turistët janë me origjinë nga Franca, Britania, Zvicra, Spanja dhe SHBA-ja. Mes tyre ka dhe gra shtatzënë, foshnje dhe të moshuar.
Turistet u ndaluan në shenjë proteste për mungesën e veprimeve të qeverisë për të trajtuar derdhjet e naftës në lumë. Kanë qenë turistët ata që kanë vënë alarmin për ndalimin e tyre.
Ángela Ramírez, e cila ndodhet në mesin e pengjeve tregoi se askush nuk është dëmtuar, ndërsa shtoi se vendaset u kishin thënë që qëllimi i tyre është “tërheqja e vëmendjes së qeverisë”.
“Ata na thanë se kërkojnë vëmendje nga shteti, në kërkim të një zgjidhjeje për derdhjet e naftës, problem që ka shkaktuar vdekjen e dy fëmijëve dhe një gruaje”, sqaroi Ramirez.