Zyrtarë të Policisë Dibër i janë përgjigjur akuzave të kryetarit të Departamentit të Politikës së Jashtme në PD, Kreshnik Çollaku, i cili ka denoncuar se me urdhër të Ministrisë së Brendshme, Drejtoria e Policisë Dibër kërkon me shkresë zyrtare të kontrollojë borderotë e punonjësve të Bashkisë Mat.
Në reagimin e Çollaku thuhet se:”Nje akt i paprecedente ka ndodhur sot ne Bashkine Mat. Me urdher nga Ministria e Brendeshme,drejtoria e policise kerkon me shkrese zyrtare te kontrolloje borderote e punonjesve te Bashkise Mat. Dy jane ceshtjet,ose Republika e Shqiperise eshte kthyer ne republike policore,e ngjashme dhe Republiken Popullore Socialiste ku kontrolli mbi jeten te drejtat e te dhenave personale te cdo qytetari ishte e vetmja menyre per te mbajtur diktaturen…,ose sot shtetin e kane pushtuar idiotët. Praktikisht me kete shkrese Policia dhe Ministria e Brendeshme deshmon se po heton kolektivisht punonjesit e Bashkise Mat”.
Sipas Policisë pretendimet e PD-së janë të pavërteta dhe abuzive, pasi është sektori i krimit ekonomik pranë Drejtoria e Policisë Dibër ka prova për të hetuar të vërtetën e shpenzimit të fondeve publike. “Ne, tha një zyrtar i lartë i Policisë, kemi të dhëna se në disa bashki të Qarkut Dibër paguhen persona që nuk shkojnë në punë apo janë jashtë vendit. PD nuk mund të pengojë me deklarata apo akuza të pavërteta punën e strukturave të Policisë. Ky subjekt politik duhet të mbështesë strukturat shtetërore për ndaljen e abuzimeve nga drejtuesit e cdo rangu”. /tirananews.al/