Arlind Bushati mbeti i vrarë pas atentatit në Dobraç të Shkodrës, pasi humbi jetën në spital mbrëmë pas orë pasi u qëllua me armë. 19 ditë më parë ai kishte denoncuar se dy persona me armë e kishin kërcënuar në Pedonalen e Shkodrës teksa kishte qenë duke pirë kafe.
Bushati është këshilluar që të ruhej madje që nga ajo ditë policia kishte vendosur një patrullë policie 24 orë në ditë në vendin ku dhe u tentua të eliminohej 32-vjeçari. Hetimet janë përqendruar në hakmarrjen mes Bajrave dhe Licëve, por deri tani s’ka asnjë autor të identifikuar.
Një makinë tip ”Land Rover” është gjetur në fshatin Grudë e re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes. Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat. Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tre pistoleta.
Safet Bajri ishte një ndër personat e parë që u shoqërua në polici. Ai ka deklaruar në polici se nuk ka dijeni në lidhje me ngjarjen, ndonëse dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve në Shkodër, Bajrat dhe Licët. Pasi është pyetur, Bajri është lënë i lirë.