Situata zgjedhore nuk është e qetë. Policia e Shkodrës njoftoi mbrëmjen e djeshme se ka ndaluar tre persona të cilët dyshohen se kanë dhunuar me grushte dhe sende të forta një qytetar i cili ka bërë më pas kallëzim në polici. Policia bëri të ditur se ka marrë njoftim se në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut”, kishte ndodhur një konflikt mes disa shtetasve.
“Nga deklarimi i dhënë nga shtetasi B. N., (i dëmtuar), dyshohet se: Shtetasi V. M., së bashku me djalin e tij, shtetasin R. M., dhe shtetasin S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin B. N. Shtetasi B. N., si pasojë e konfliktit është dëmtuar lehtë, dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, ka dhënë deklarim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër”, sqaron policia.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit V. M., R. M., dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” duke theksuar se ”vetëm pak orë pasi koalicioni “Bashkë Fitojmë” denoncoi me deklaratë zyrtare përpjekjet për intimidime dhe përdorim të Policisë së Shtetit në fushatën zgjedhore në disa bashki të Shqipërisë, duke u ndalur tek disa raste flagrante në Pukë, pikërisht në këtë zonë, dhuna ndaj opozitarëve u përshkallëzua deri në kërcënim për jetën”.
“Në fshatin Mzi, Njësia Administrative Fierzë e Bashkisë Fushë Arrëz, një bande e armatosur me në krye Drejtorin e HEC-it Fierzë, kriminelin elektoral Vasil Muslija me të birin dhe shtetasin Zamir Sadiku, kanë ushtruar dhunë me armë kundër katër aktivistëve të Partisë Demokratike. Të tre banditët me spaleta pushteti, përfaqësues të PS-së së Pukës, pasi i kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin Besmir Nika, Bledar Nika, Ndue Deda dhe Ridvan Kuka, veprimtarë të opozitës i kanë qëlluar me qyta armësh pistoletë. Sipas raportimeve nga terreni, nga spitali dhe nga përfaqësues të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Pukë, si pasojë e dhunës ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Besmir Nika, dhe me plagë më të lehta vëllai i tij, Bledari”, thuhet në reagimin e këtij koalicioni.