Qeveria ka miratuar Dokumentin e Politikave Prioritare për periudhën 2027-2029, një udhërrëfyes strategjik që përcakton drejtimet kryesore të politikës shtetërore dhe orienton shpërndarjen e burimeve financiare drejt realizimit të prioriteteve strategjike të vendit.
Ky dokument, i cili shërben si bazë për hartimin e buxhetit afatmesëm, përforcon lidhjen mes planifikimit strategjik dhe menaxhimit të financave publike, duke vendosur një fokus të veçantë tek Lista Unike e Projekteve me Rëndësi Kombëtare.
Në këtë listë përfshihen gjithsej 114 projekte investimi, të cilat synojnë të përmirësojnë procesin e propozimit, miratimit dhe implementimit të projekteve strategjike dhe njëkohësisht të adresojnë kërkesat e institucioneve ndërkombëtare financiare dhe partnerëve zhvillimorë.
Totali i fondeve të nevojshme për realizimin e këtyre projekteve llogaritet 723 miliardë lekë, ose 7,38 miliardë euro, duke përfshirë investime në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, energji, zhvillim ekonomik, arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, turizmin dhe mjedisin.
Në fushën e transportit, prioritet ka ndërtimi i bajpas-eve dhe aksit rrugor Elbasan-Lekaj, me një vlerë prej 360 milionë euro, rehabilitimi dhe zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, me vlerë 298,86 milionë euro, si dhe zhvillimi i korridorit Adriatiko-Jonian, ku për segmentin Poçem-Memaliaj planifikohen 597 milionë euro.
Investime të mëdha janë parashikuar edhe në linjat hekurudhore. Buxheti i planifikuar për linjën Durrës-Prishtinë që konsiderohet projekti më strategjik përme së cilit sigurohet lidhja e ekonomive të Shqipërisë dhe Kosovës është 750 milionë euro.
Ndërsa investime janë planifikuar edhe për rehabilitimin e linjës Durrës-Rrogozhinë dhe Tiranë-Durrës. Rehabilitimi i këtyre linjave synon të përmirësojë lidhjet rajonale dhe transportin e mallrave.
Në fushën e energjisë, investimet përfshijnë ndërtimin e impianteve fotovoltaike dhe hidroelektrike, digjitalizimin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë, ndërtimin e linjave të tensionit të lartë 400 kV për interkoneksionin me Kosovën dhe Greqinë, si dhe projektet për magazinimin nëntokësor të gazit natyror dhe terminalin LNG në Vlorë, me vlerë 120 milionë euro, duke garantuar sigurinë energjetike dhe diversifikimin e burimeve.
Ndër projektet më të mëdha energjetike është ai i HEC-it të Skavicës që lidhet me rrjetin e transmetimit dhe integrimin e kapaciteteve në sistem, me vlerë 800 milionë euro, si dhe ndërtimi i linjës hekurudhore të transportit të gazit natyror, gazsjellësi ALKOGAP, me vlerë 195,5 milionë euro.
Sektori i zhvillimit ekonomik dhe bujqësisë përfshin projekte në Ekonominë Blu, zonat teknologjike dhe zhvillimin e biznesit, duke përfshirë zonën TEDA në Koplik dhe projektet për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.
Në fushën sociale, arsimit dhe shëndetësisë, prioritet janë rehabilitimi i infrastrukturës për të rinjtë në konflikt me ligjin, ndërtimi i qendrave të rehabilitimit dhe “Shtëpive mbështetëse” për personat me çrregullime mendore, investimet në Spitalin Onkologjik dhe qendra të inovacionit shkencor.
Projekti “Deti Blu” për mjedis të pastër dhe ripërtëritje, përmirësimi i infrastrukturës mbrojtëse nga përmbytjet dhe rehabilitimi i digave, së bashku me projektet AL-PACT dhe përmirësimin e infrastrukturës ujësjellës-kanalizimeve në Tiranë dhe Durrës, janë ndër prioritetet kryesore të sektorit të mjedisit, duke synuar adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Me miratimin e 114 projekteve strategjike, qeveria synon të harmonizojë zhvillimin ekonomik dhe social, të rrisë efikasitetin institucional dhe transparencën në menaxhimin e financave publike, si dhe të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Dokumenti i Politikave Prioritare 2027-2029 dhe Lista Unike e Projekteve me Rëndësi Kombëtare krijojnë një vizion të qartë për të ardhmen, duke siguruar që çdo investim të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në objektivat strategjikë dhe sektorialë të vendit.
