“Nur” do të quhet projekti, i cili pritet të nisë në vitin 2026 dhe do të çojë në gazifikimin e qytetit të Korçës. Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku e prezantuan këtë projekt gjatë turit të takimeve elektorale që PS po zhvillon sot në qarkun juglindor.
“Ne duhet të bëhemi vend sovran nga pikëpamja e energjisë. Ky projekt do të shtrihet edhe në qytetet e tjera. Nga ana tjetër dua të jap një detaj shumë të rëndësishëm për mua, ky emërtim i bukur “Nur” është zgjedhur posaçërisht nga presidenti i Azerbajxhanit, dhe është ai që kujdeset posaçërisht për këtë projekt”, tha Rama.
Kryeministri zbuloi se Presidenti Ilham Aliyev për projektin e gazifikimit të Korçës nuk ka kërkuar asgjë në këmbim, por e ka propozuar si një dhuratë për një vend mik si Shqipëria.
“Kam qenë dëshmitar kur i ka thënë ministrit për projektin në Shqipëri: Nuk duam fitime, e rëndësishme është të mos humbasim dhe të fitojmë qytetarët e atij vendi mik”.
