Naim Murseli i cili është porositës i vrasjes së gruas, të nënës së dy fëmijëve është në paraburgimin në Podojevë, një burg i sigurisë së lartë. Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani thotë se ende nuk është kategorizuar rasti dhe se të arrestuarit për rastin nuk janë dalluar nga të tjerët.
“Natyrisht deri më tani ata po trajtohen si të gjithë personat e tjerë. Nuk ka asnjë dallim”, deklaroi Dibrani në RTV Dukagjini. Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt u ka caktuar nga një muaj paraburgim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur sërish për vrasjen e Liridonës. Osmani tha se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një thirrje për zgjimin e ndërgjegjes kolektive dhe një ndryshim në mënyrën se si shoqëria dhe sistemi i drejtësisë përballen me dhunën ndaj grave.
Presidentja theksoi domosdoshmërinë e ashpërsimit të dënimeve për dhunuesit e grave dhe të mosnormalizimit të dhunës në shoqëri. “Duhet të luftojmë me ngulm mosnormalizimin e dhunës. Kjo është sfidë e gjithë shoqërisë”, u shpreh Osmani.
Vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj flet për drejtësi dhe për një kauzë që do të marrë. Ai ka paralajmëruar se tashmë do të nisë fushata e familjes për të kërkuar llogari për vrasjen e motrës së tij. Ademaj shprehet gjithashtu se familja e tij shpreh mirënjohjen për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonën dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat që kanë qenë viktima të së njëjtës ngjarje.