Ish-kapiteni i Laçit Gentian Selmani mund të hedhë një hap të madh në karrierën e tij.
Agjenti i tij Deniz Ujsal rrëfen për median italiane ‘’Calciomercato’’ se presidenti i klubit të Menemen Sporit me të cilën aktivizohet Selmani, dëshiron të nisë bisedime për të ardhmen e 21-vjeçarit me disa prej klubeve italiane. ‘’Calciomercato’’ hedh hipoteza se dy prej skuadrave që kanë shfaqur interesim për portierin e Shpresave janë Torino dhe Leçe.
Pas përhapjes së këtij lajmi, media pranë klubit torinonez ‘’Torinogranata.it’’ ka shprehur konsideratën më të madhe për Selmanin duke e vlerësuar si ‘’një investim me leverdi për portën e saj’’.
Gjithmonë kjo media i ka kushtuar një artikull të plotë për karrierën e ish-portierit të Laçit duke theksuar instiktet e tij, reflekset dhe talentin.
‘’Kush është Gentian Selmani? I rritur te akademia e Partizanit, ai lëvizi më pas te Kastrioti në janar të 2015. Brenda vitit atë e bleu Laçi. Pas kësaj lëvizjeje, Selmani kaloi te Menemen Spori, skuadër e Kategorisë së Dytë të futbollit turk.
Selmani i ka treguar vlerat e tij me ekipet zinxhir të kombëtares së Shqipërisë. Me Shqipërinë U-21 ai ka regjistruar 11 paraqitje si dhe duke shënuar një gol në sfidën me bashkëmoshatarët e Bjellorusisë. Madje në një ndeshje me Italinë U-21 në 11 shtator 2018, ai realizoi disa pritje vendimtare.
