Shefi i Sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lusien Nurishmi ka folur disa orë para ndeshjes së kombëtares sonë ndaj Turqisë. Ai foli për masat e marrë për mbarëvajtjen e ndeshjes, por edhe ecurinë e shitjes së biletave.
“Të gjithë jemi këtu për të organizuar një ndeshje sa më normale, sa më afër standardeve që kërkon edhe UEFA, dhe normalisht me fitoren e Shqipërisë.
Organizimi i ndeshjes ka disa javë që ka filluar, ku kemi punuar si me stadiumin, cilësinë e terrenit, koordinimin e Policisë së Shtetit me stjuardët, etj. Sa u përket biletave, kemi arritur të shesim afërsisht 11 mijë copë, por shitja do të vijojë deri në orën 18:00, pasi më pas është e pamundur.
Në orën 18:00, do të hapen dyert e stadiumit, për të bërë të mundur sistemimin e tifozëve. Do të jenë rreth 4-5 tifo-grupe, që pritet të krijojnë edhe një atmosferë të zjarrtë në shkallët e stadiumit”, deklaroi Nurishmi.