Ish-zëvendës komandanti i Forcave Detare Artur Meçollari me anë të një postimi në Facebook ka bërë me dije se Greqia ka dhunuar të drejtat sovrane të Shqipërisë në shelfin e saj kontinental, pasi rimorkiatori ‘Vernicos Sifnos’ i kontraktuar nga qeveria helene ka kryer studime për hidrokarbure 0.5 milje në veri të vijë hipotetike kufizuese me distance të barabarta të shelfit kontinental midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ai shtoi se hapësira në jug të kësaj vije (vijës së vitit 2009) është zona detare e shelfit kontinental e kontestuar mes vendeve, kurse në veri të kësaj vije është shelfi kontinental i Shqipërisë, ndërsa anija studimore “Ramform Hyperion” dhe “Vernicos Skafi One” kanë operuar në zonën e kontestuar.
Sipas tij prej më shumë se një javë, dita e dhjetë, anijet studimore të kontraktuara nga Qeveria e Greqisë po kryejnë studime për hidrokarbure në Detin Jon, por sot njëra prej tyre hyri në shelfin e Shqipërisë. Më tej ai shkroi se asnjë institucion shtetëror, duke përfshirë Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, nuk janë prononcuar për shkeljen e të drejtave sovrane të Shqipërisë në shelfin kontinental.