Kryeministri Edi Rama thotë se brenda kësaj dekade paga mesatare e mësuesve do të jetë 1,250 euro. Në fjalën e tij në një takim në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, Rama foli edhe për rritjen e pagave të mësuesve. Për të pagat janë rritur në mënyrë të vazhdueshme. ”Fakti është që sot paga mesatare e mësuesve është 950 euro”, tha Rama.
Kryeministri shtoi edhe se është shumë më shumë se ç’ka qenë, është një pagë dinjitoze në vendin tonë, por nuk mjafton. Rama tha se nuk mjafton për më tepër po të kemi parasysh vështirësinë e punës së mësuesve.
”Vështirësia në punë e mësuesve nuk është një vështirësi pune fizike që në njëfarë mënyrë puna fizike, pavarësisht se mund të jetë e vështirë njeriun e mban në formë, por është një vështirësi punë psikologjike.
Plani ynë është që në vitet e ardhshme, brenda kësaj dekade ne pagën mesatare të mësuesve do ta çojmë në 1250 euro. Është e bëshme, është plotësisht e bëshme, nuk besoj që do të kemi problem me këtë”.