Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, ka reaguar sërish sa i përket deklaratave të ndërkombëtarëve në Tiran, se vendi duhet t’i drejtohet Komisionit të Venecias për zgjidhjen e krizës për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në facebook, Blushi thekson edhe njëherë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa shton se ndërkombëtarët “mund t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është me e rëndësishme”.
Postimi i plotë:
Presidenti Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak dhe karagjoz duke hyrë në debate juridike që nuk ekzistojnë, pasi Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese e kanë të shkruar qartë dhe prerë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese.
Por Presidenti nuk i ndalon ata t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është me e rëndësishme, Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë?
Ndërsa Presidenti ka një pyetje për këta dhunues të çdo norme diplomatike dhe Konvente: A i keni marrë leje Kryetarit të shtetit tuaj kur hyni në lojrat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e Kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912?!