Presidenti Begaj takon homologun italian: Vlerësoj mbështetjen që keni dhënë në procesin e integrimit
Presidenti Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë Armanda Begaj, filloi sot një vizitë zyrtare dyditore në Itali, ku u prit me nderimet e veçanta nga presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.
Kjo është vizita e parë e Presidentit Begaj në një prej vendet e Evropës Perëndimore, por edhe një konfirmim i një dialogu shumë të mirë politik e në nivelet më të larta midis dy vendeve.
Pas ceremonive të rastit, Presidenti Begaj dhe homologu italian, Mattarella, zhvilluan një bisedë kokë më kokë e më pas kryesuan delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.
Gjatë takimit të zgjeruar midis dy delegacioneve, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve, solidaritetin dhe gjendjen pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira e delikate, në pjesën më të madhe të historisë së dy popujve.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për vullnetin e palës italiane për të përmbyllur procedurat e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe shprehu besimin se kjo marrëveshje do të bëhet shumë shpejt efektive, për të ndihmuar si shqiptarët ashtu edhe italianët që jetojnë e punojnë respektivisht në të dy vendet.
Në kuadër të zhvillimeve rajonale, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Italisë për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehu mirënjohje për konsiderimin e këtij rajoni si një prioritet dhe për mbështetjen shumë domethënëse të procesit të zgjerimit në kuadër të Bashkimit Evropian, por edhe si një aktor aktiv në kuadër të Procesit të Berlinit.