Presidenti Bajram Begaj priti në një takim sot senatorin amerikan Steve Daines.
Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera të partneritetit strategjik, Presidenti Begaj vlerësoi se vizita e Senatorit Daines në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve dinamike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Begaj nënvizoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie parësore për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të reformave të domosdoshme për forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, ku padyshim reforma në drejtësi ka marrë vëmendjen kryesore.
Duke u ndalur te bashkëpunimi shumëpalësh, Presidenti Begaj evidentoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria prej 1 janarit 2022 mban një vend jo të përhershëm. Presidenti Begaj nënvizoi se “hartimi së bashku i disa rezolutave, veçanërisht atyre që dënonin agresionin rus ndaj Ukrainës, por jo vetëm, dëshmuan besim të fortë ndaj Shqipërisë mike dhe aleate”.