Mediat kanë filluar të flasin dhe dita-ditës skandali po merr përmasa të mëdha në Spanjë. Drejtuesi më i lartë i Federatës së Futbollit, Luis Rubiales ka folur në një konferencë shtypi ku justifikoi mesazhet që e gozhdojnë në lidhje me marrëveshjen 10-vjeçare që ka bërë me Arabinë Saudite për Superkupën e Spanjës.
Ndërmjetës në këtë marrëveshje ishte një kompani ku është i përfshirë edhe Gerard Pique, i cili ka shkëmbyer mesazhe me shefin e federatës, të cilit i kanë hakeruar telefonin duke i zbuluar shumë dokumente që e kompromentojnë.
Marrëveshja parashikon 40 milionë euro në vit nga të cilat 4 çdo sezon i përfiton kompania që pëfshin emrin e mbrojtësit të Barcelonës por Rubiales preferon të flasë për vjedhjen e të dhënave dhe jo faktet.
“Nuk mund ta përjashtoj faktin që herët a vonë që dikush të fusë një thes kokaine në makinën time. Nuk mund të them se do përfundoj me një plumb pistolete por sigurisht që kam frikë për familjen dhe miqtë e mi. Kur kandidova për president e dija që do të kisha rreziqe dhe do të bëja armiq por nuk do të kisha imagjinuar kurrë që mafia të rrëmbente të dhënat nga telefoni im. Është një gjest kriminal dhe krahasimi me kokainën nuk është aspak i ekzagjeruar”, thekson i revoltuar kreu i federatës spanjolle.