President i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, deklaroi se politika e jashtme , bazuar në marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare, nuk do të ndryshojë.
I pyetur nga gazetarët nëse kjo do të thotë se nuk është reale të pritet tërheqja e njohjes së Kosovës, Millatoviç tha se “kjo është e qartë”.
“Ne mbështesim gjithçka për të cilën do të bien dakord Beogradi dhe Prishtina. Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon, dhe Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha ai.
Në rundin e dytë të zgjedhjeve të së dielës, më 2 prill, Millatoviç mposhti ish-presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, duke i dhënë fund qeverisjes prej disa dekadash të Partisë Demokratike të Socialistëve në Podgoricë.
Në deklaratat e mëparshme për media, ai ka konfirmuar se mbështet nismën rajonale të Ballkanit të Hapur, të cilës Mali i Zi aktualisht nuk i përket.