Vrasja e dy vëllezërve Bilali në Shkodër dhe situata në këtë qytet ka qenë pjesë debati mes kryebashkiakes Voltana Ademi dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ardi Veliu.
Gjatë takimit ku u prezantua Valdrin Pjetri, si prefekti i ri i Shkodrës, Voltana Ademi i është drejtuar Ardi Veliut se ngjarja që ndodhi mund të parandalohej. “Shkodrën nuk e bëjnë as tre vetë dhe një polici”, tha Ademi. “Para një jave nuk më the këtë opinion” iu përgjigj kreu i policisë.
Më pas bashkë me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj ata braktisën mbledhjen gjatë kohës që kryebashkiakja po fliste.
Më herët, ministri Lleshaj tha se krimi nuk fiton dot me policinë. Shumë shpejt Shkodrës tha ai, do t’i rikthejmë qetësinë dhe sigurinë që meriton ky qytet.
“Shkodra ishte, është dhe do të mbetet qyteti i artit dhe kulturës, pavarësisht ngjarjeve të fundit. Krimi nuk e fiton dot luftën me policinë. Pavarësisht arrestimeve të bujshme në këtë qytet, janë regjistruar disa ngjarje të rënda por së shpejti do të ketë rezultate. Me drejtorin e ri të policisë Niko Brahimaj dhe koordinimin me prefektin e ri Pjetri besoj se do të kemi rezultate pozitive. Shkodrës do t’i rikthejmë qetësinë dhe sigurinë që e meriton ky qytet”, tha Lleshaj.
Në këtë takim ishin të pranishëm kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ai i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, i Pukës, Gjon Gjonaj dhe I Fushë Arrëzit, Fran Tuci.