Vetëm një javë pasi ka nisur fazën përgatitore me skuadrën e Burrelit, trajneri Samuel Nikaj, ka planifikuar ndeshje kontrolli dhe miqësore.
Sot pasdite Burreli është përballur në stadiumin “Liri Ballabani” me ekipin U 21 të Shënkollit, ekip që luan në Superioren e kësaj moshe, dhe ka fituar me rezultatin e thellë 5-0.
“Është shpejt për të folur për cilësinë e skuadrës. Kemi nisur stërvitjen pak ditë më parë dhe ngarkesa për lojtarët ka qenë e plotë. Dallohej lodhja e disa lojtarëve, por jam i sigurtë se deri ditën e fillimit të kampionatit ata do të jenë në formë të mirë. Fitorja sot me ekipin e fortë të Shënkollit nuk më befason. Besoj se kemi siguruar lojtarë shumë të mirë”, nënvizoi për tirananews.al tekniku Nikaj.
Sot u “testuan” Miraka, Koca, Hasa, Beci, Zefi, Doca, Stana, Zuna, Veca, Mallunxa, Rexhepi, Kurbneshi, Dyca, Rraboshta, Sërjani, Toma.
Burime pranë klubit të futbollit bënë me dije se pritet mbërritja pranë skuadrës matiane e dy lojtarëve cilësorë, të cilët do të mbyllin merkaton e skuadrës verilindore.
Ndeshjen Burreli-Shënkolli U 21 e ndoqi edhe kryebashkiaku i Matit Agron Malaj. Ai ka deklaruar se do t’i kushtojë vëmendje të gjitha sporteve, sidomos futbollit, madje synohet ngjitja e Burrelit në Superligë.