Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar problematika edhe në Rrugën e Arbrit. Në segmentin e Xibrit, nga tuneli i Murrizit deri te tuneli numër 2 në fshatin Shkallë, është evidentuar prezencë e konsiderueshme e ujit në rrugë, si dhe rrëshqitje dherash në disa zona.
Megjithëse qarkullimi i mjeteve ka vijuar normalisht deri më tani, fryrja e tokës si pasojë e reshjeve të vazhdueshme ka sjellë derdhjen e burimeve ujore nga shpatet e malit, duke rritur rrezikun e shembjeve të dherave.
Po ashtu, rritja e nivelit të përroit në aksin Xibër–Murrizë paraqet rrezik për argjinaturën mbrojtëse të rrugës në fshatin Shkallë, si dhe për dëmtimin e urës së lagjes “Metaj”.
Probleme janë evidentuar edhe në tunelin numër 5 të Rrugës së Arbrit, mbi urën e Vashës, ku rreth 90% e ndriçimit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik.
Ndërkohë, në segmentin e fshatit Plan i Bardhë nuk janë shënuar shembje gurësh, falë investimit të kryer vetëm disa muaj më parë, me vlerë rreth 10 milionë euro, për veshjen e skarpatës me rrjetë dhe beton, duke rritur ndjeshëm sigurinë e këtij aksi rrugor.
