Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare më 14 janar, individët dhe familjet që kanë humbur një ose më shumë anëtare të familjes dhe / ose kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit,njësi tregtare apo insititucione ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore mund të aplikojnë për programet e procesit të rindërtimit që do të bëhet në dy faza.
“Subjektet përfituese, sipas këtij vendimi, janë individët dhe familjet, që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes dhe/ose kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në njësitë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, si dhe të gjitha subjektet e tjera sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, thuhet në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare.
Të gjithë ata që përfitojnë janë kategori të parashikuara në aktin normative nr.9, datë 16. 12. 2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, siç shpjegohet në pjesën më poshtë:
Siç bën të ditur vendimi aplikimi do të bëhet në dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej këtyre programeve.
Përfshirja në programet e rindërtimit bëhet nëpërmjet aplikimit në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku individi/familja ka vendbanimin, sipas modelit dhënë në shtojcën A, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave, dhënë në shtojcën B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
DEKLARIMI TIP I TE DHENAVE
Aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën/at përgjegjëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rast se ka një të tillë. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin që këto kërkesa të paraqiten pranë njësive administrative ku individët kanë vendbanimin.
Aplikimet për përfitimin nga programet e rindërtimit duhet të jenë në formë të shkruar. Ato regjistrohen dhe përpunohen nga struktura/t përgjegjëse të njësive të vetëqeverisjes vendore në një sistem elektronik.
Kërkesat e plotësuara me të dhënat dhe dokumentacionin sipas parashikimit të këtij vendimi regjistrohen sipas rendit kronologjik në sistemin e posaçëm elektronik nga strukturat përgjegjëse. Regjistri i kërkesave përmban informacionin që mundëson përpunimin e të dhënave, si më poshtë vijon:
a) emrin, atësinë, mbiemrin;
b) numrin e kërkesës;
c) datën e dorëzimit/paraqitjes së aplikimit;
ç) objektin e kërkesës, përfshirë edhe preferencën e paraqitur për programin e rindërtimit;
d) adresën e kërkuesit;
dh) përbërjen familjare në momentin e aplikimit;
e) Aktin e konstatimit/aktekspertizën e thelluar, të lëshuar nga çdo person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës tregtare, i pajisur me lejen, licencën ose autorizimin përkatës nga autoritetet shtetërore për vërtetimin e gjendjes së rrezikut për jetën dhe shëndetin, në të cilin vërtetohen dëmet që ka pësuar ndërtesa apo që është shpallur si e pabanueshme;
ë) dokumentin e pronësisë ose çdo akt për fitimin e pronësisë së banesës së dëmtuar.
NËSE KA PASAKTËSI APO MANGËSI
Sipas vendimit nëse kërkesa e aplikantit ka pasaktësi dhe mangësi të të dhënave të kërkuara nga ky vendim, struktura përgjegjëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore, brenda 7 (shtatë) ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës, i kërkon me shkrim aplikantit të korrigjojë pasaktësitë, duke përcaktuar edhe afatin e nevojshëm për plotësimin e tyre. Struktura përgjegjëse ose zyra e shërbimit me një ndalesë ofron ndihmë aktive për plotësimin e formularëve të aplikimit për përfitimin nga programet e procesit të rindërtimit për cilindo aplikues, duke u kujdesur që çdo individ/familje të marrë informacionin dhe ndihmën e nevojshme për këtë qëllim.
Çdo individi/familjeje, që paraqet kërkesën, në çdo rast, i lëshohet një vërtetim që konfirmon regjistrimin e kërkesës, objektin e saj, datën dhe listën e dokumenteve të bashkëlidhura, sipas formatit, dhënë në tabelën më poshtë.
FAZA E DYTË
Faza e dytë e aplikimit fillon në momentin e vënies në zbatim të programeve të procesit të rindërtimit. Bazuar në kërkesat specifike të çdo programi, njësia e vetëqeverisjes vendore ndjek procedurat, si më poshtë vijon:
a) miraton sistemin e pikëzimit;
b) klasifikon kërkesat për programet e procesit të rindërtimit, sipas sistemit të pikëzimit;
c) mbledh cilindo prej dokumenteve që vërteton statusin e familjeve të përmendura në pikën 8, të këtij vendimi, që e mbajnë organet publike në vend, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre;
ç) bën verifikimin e dokumentacionit, sipas pikës 8, të këtij vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e dorëzimit;
d) harton dhe miraton listën e përfituesve, mbështetur në listën e objekteve të vëna në dispozicion nga organi përgjegjës shtetëror;
dh) njofton familjet që përfitojnë nga programet specifike të procesit të rindërtimit, si dhe ata/o që nuk kanë përfituar, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e miratimit të listës së përfituesve nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Kandidatët që nuk kanë fituar caktohen të përfitojnë nga një program tjetër i procesit të rindërtimit.
Kriteret e përparësisë për renditjen e përfituesve janë:
a) familjet që kanë humbur familjarët nga fatkeqësia natyrore;
b) familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna;
c) familjet që kanë në përbërje personat me aftësi të kufizuara;
ç) të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit;
d) familjet në skemën e ndihmës ekonomike;
dh) të rënët në krye të detyrës.
Struktura përgjegjëse u njofton aplikantëve jofitues edhe arsyet e kësaj vendimmarrjeje, si dhe të vendimit për përfitim nga një program tjetër i procesit të rindërtimit. Aplikantët jofitues mund të paraqesin ankesat e tyre pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, brenda 5 ditëve nga njoftimi.
Në fazën e dytë, dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë dokumentacionin që vërteton deklarimet e bëra në fazën e parë. Dokumentacioni i kërkuar sipas këtij vendimi, që mbajnë apo përgatisin organet publike në vend, sigurohet nga vetë struktura përgjegjëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre, vetëm nëse aplikanti depoziton deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të, sipas formatit tip,treguar më poshtë:
Nëse aplikanti nuk e dorëzon apo refuzon të firmosë këtë deklaratë, struktura përgjegjëse shkarkohet nga detyrimi i mbledhjes së dokumentacionit dhe ky detyrim i kalon vetë aplikantit. Dokumentacioni i nevojshëm sigurohet me shpenzimet e njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila, nëse është e nevojshme, mund të lidhë marrëveshje me strukturat përkatëse, në funksion të lehtësimit të marrjes së dokumentacionit.
ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH
Përfituesit nuk mund të përfitojnë në të njëjtën kohë nga më shumë se një program i procesit të rindërtimit, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në aktin normativ që rregullon përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.
Subjektet përfituese nga programet e procesit të rindërtimit trajtohen dhe përfitojnë, si më poshtë vijon:
Familjet, që kanë humbur banesat si pasojë e shembjeve të ndërtesave (pallateve), përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i rindërtimit të godinave në të njëjtin truall ose programi i fondit të banesave. Struktura e njësisë së banimit (apartament), që i kalohet në pronësi përfituesve në ndërtesat e reja, llogaritet sipas tabelës më poshtë:
Familjet në qytet, që kanë humbur shtëpitë individuale si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit ose programi i fondit të banesave.
a) Sipërfaqja e banesës që i kalohet në pronësi përfituesve, në ndërtesat e realizuara në kuadër të programit të zhvillimit të zonave të reja ose në banesat e programit të fondit të banesave, llogaritet sipas tabelës më lart, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për truallin e shtëpisë individuale, përveç rastit kur për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit prona truall shpronësohet ose kompensohet sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.
b) Kur zona e re për zhvillim do të realizohet me shtëpi banimi individuale, familjet përfitojnë në pronësi shtëpi individuale banimi me sipërfaqe ndërtimi që llogariten sipas tabelës B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Në këto raste, përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për sipërfaqen e truallit që rezulton si diferencë e truallit të shtëpisë individuale të shembur me truallin e shtëpisë individuale banimi të re që përfitojnë, nëse ka, përveç rastit kur, për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit, kjo sipërfaqe trualli shpronësohet ose kompensohet sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”. Në kontratën përkatëse të kalimit të pronësisë për shtëpinë individuale të re sipas kësaj pike, parashikohet dhe heqja dorë e përfituesit nga e drejta e pronësisë në favor të shtetit prej sipërfaqes së truallit të shtëpisë individuale të shembur, e barabartë me truallin e shtëpisë së re individuale.
c) Kur njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet shtetërore përgjegjëse vendosin që të trajtojnë përfituesin me grant për rindërtimin e shtëpisë individuale zbatojnë kushtet dhe rregullat sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.
Familjet në fshat, që kanë humbur shtëpitë individuale jashtë ose brenda zonës së urbanizuar të territorit rural, si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit. Rregullat e përfitimit që parashikohen në këtë vendim në pikën 20.2, zbatohen njësoj, për aq sa është e mundur, dhe për përfituesit që përcaktohen në këtë pikë.
Familjet që kanë dëmtime në banesa ose shtëpi individuale nga fatkeqësia natyrore, të cilat nuk kanë nevojë të rindërtohen nga e para, trajtohen me grante rikonstruksioni sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.
Shoqëritë tregtare, të vogla e të mesme, vendet e kryerjes së aktivitetit të të cilave janë dëmtuar dhe/ose zhvendosur për shkak të fatkeqësisë natyrore, vërtetuar me dokumente zyrtare, me qëllim rikonstruksionin e shpejtë ose sigurimin e mjediseve të përshtatshme për kryerjen e veprimtarisë nga punëmarrësit përfitojnë mbështetje ekonomike sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa që subjektet, të cilat nuk përfitojnë nga një program i caktuar, të kenë mundësi për të kaluar në një program tjetër të procesit të rindërtimit.
Kushtet dhe rregullat që parashikohen në këtë vendim zbatohen dhe nga Enti Kombëtar i Banesave ose autoriteti përgjegjës shtetëror në rastet kur me kërkesë të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit dhe/ose me vendim të Këshillit të Ministrave ngarkohet me detyra në zbatim të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.
Kontrata për kalimin e banesave/shtëpive individuale në pronësi të përfituesve duhet të përmbajë të paktën parashikimet e modelit tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Kontrata duhet të shoqërohet me deklaratën noteriale të heqjes dorë nga subjektet përfituese nga çdo pretendim mbi të drejtat e pronësisë për banesën apo shtëpinë individuale të mëparshme, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë vendim ose në aktin normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, si kusht për përfitimin nga programet e procesit të rindërtimit. / tirananews.al