Frida Krifca është emëruar Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, duke pasuar Milva Ekonomi-n. Por, cili është profili i saj?
Frida është “prodhim” i gjimnazit “Sami Frashëri”`. Më tej, Frida është diplomuar nga Universiteti i Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, dega Administrim Biznes dhe mban titullin Master i Shkencave në Administrim Biznesi (MBA) nga Fakulteti i Administrim Biznesit pranë Universitetit Akron në Ohajo, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes programit të bursave Fulbright (bursa të plota), të Departamentit të Shtetit.
Referuar jetëshkrimit të publikuar në faqen e AZHBR-së, Krifca ka punuar për katër vite si Drejtore për Shqipërinë për Trupat Vullnetare të Shërbimeve Financiare (FSVC), një OJQ me zyra qendrore në New York. Si drejtuese për Shqipërinë, për llogari të USAID, ka ofruar asistencë teknike për institucione financiare publike dhe ka identifikuar, zhvilluar e menaxhuar projekte të shumta të asistencës teknike me karakter zhvillues, financiar, fiskal e ligjor në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit.
Ka menaxhuar buxhete grantesh e programesh disa milionë dollarësh, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar, përmirësimin e mjedisit të biznesit, financat bashkiake, pagesat nëpërmjet internetit, reformat ligjore e rregullatore, si dhe partneritetin publik – privat.
Krifca ka vlerësuar progresin e Shqipërisë kundrejt objektivave të vendosura për reformën financiare, ka hartuar propozimet buxhetore për USAID-in e donatorë të sektorit privat dhe ka qenë bashkautorë e raporteve të shumta të fizibilitetit dhe vlerësimit.
Para se t’i bashkohej FSVC-së, ka punuar pranë një banke tregtare në Tiranë, si Drejtore Marketingu dhe Marrëdhëniesh me Publikun, pas disa viteve përvojë në fushën e menaxhimit dhe strategjive në një kompani biznesi.
Krifca është në drejtim të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) prej muajit korrik, 2017. Ka qenë pranë programit IPARD, i cili vuri në dispozicion të fermerëve shqiptarë 94 milionë euro për mbështetje në investime në fermë, investime në agro-përpunim dhe zhvillim rural.