Sa më shumë që Shërbimi Sekret Amerikan shqyrton të kaluarën e 20-vjeçarit Thomas Matthew Crooks për të analizuar sulmin ndaj Donald Trump, aq më shumë ngatërrohet gjithçka.
Media ndërkombëtare raportojnë se janë ngritur shumë dyshime se si mundet një i ri i përshkruar si “i ëmbël dhe i qetë” të kthehet në një atentator. Si mundet një djalë i cili u refuzua nga ekipi i tij i qitjes në shkollë për të qenë një “qitës i tmerrshëm” të realizojë një goditje që do të ishte e vështirë edhe për një snajper profesionist? Si mundet një person që përshkruhet si indiferent ndaj politikës, të tentojë të vrasë ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara?
Në lidhje me kontaktet e tij sociale në shkollë, gjithçka është kontradiktore. Një mik dëshmoi se Thomas Crooks “ishte një djalë i qetë dhe i vetmuar, i cili ishte ngacmuar shumë në shkollë”, ndërsa shokët e tjerë të klasës thanë se ata kurrë nuk e kishin parë atë të ngacmuar.
Një gjë për të cilën të gjithë bien dakord, është se ai pëlqente të vishej me pajisje gjuetie, pantallona kamuflazhi dhe këmisha në ngjyrë kaki.
Crooks përshkruhet nga shokët e tij të klasës si një ‘djalë i qetë dhe shumë inteligjent’, me interesa që varionin nga shkenca kompjuterike deri te prodhimet filmike si ‘Star Wars’. Të gjitha deklaratat e shokëve të klasës që kanë folur për mediat amerikane, e përshkruajnë atë si të vetmuar, por shumë inteligjent, të sjellshëm dhe miqësor.
“Ajo që di me siguri është se ai ishte i shkëlqyer,” i tha ABC News një shok klase i Crooks, duke shtuar: “Mbaj mend që gjithmonë i dëgjoja rezultatet e testeve të tij për t’i krahasuar me tonat, pasi ai ishte shumë i mirë në matematikë dhe shkencë. Nuk do të thosha se ai u paraqit ndonjëherë si një person kërcënues, pasi ai kurrë nuk ishte asgjë veçse i sjellshëm”.
Jameson Myers, një mik i vjetër i Crooks, e përshkruan atë si një njeri shumë të vetmuar dhe interesant, edhe pse ai nuk kishte shumë miq.
“Unë isha shoku i tij dhe ai kurrë nuk u soll në asnjë mënyrë si revolucionar politik”. Myers thotë se ai kurrë nuk e dëgjoi atë të diskutonte për politikën, e veçanërisht për Trump, dhe se ai ishte një djalë vërtet i këndshëm dhe i ëmbël për sa kohë që e njihte.
Crooks madje kishte marrë një çmim prej 500 dollarësh nga shkolla e tij për arritjet e tij në matematikë dhe shkrimin e kodit kompjuterik.
Sigurisht, ky profil nuk përputhet aspak me aktin e tij. 20-vjeçari shfaqi sjelljen e një agjenti të fshehtë me përvojë, duke kaluar kontrollet e Shërbimit Sekret dhe policisë pa asnjë emocion.
Jo vetëm se u nis pa asnjë hezitim në misionin e tij për të ekzekutuar ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por edhe njerëz të tjerë që ishin aty, ashtu siç bëri.
Ky vendim nuk i atribuohet lehtë një të riu që cilësohet si “normal, i sjellshëm dhe i ëmbël”.
Për më tepër, diapazoni i interesave të tij, si kinemaja dhe veçanërisht Star Wars dhe prodhimet kompjuterike, nuk lidhen në asnjë mënyrë me ekstremizmin politik dhe dhunën.
Crooks punoi si ndihmës dietolog në një qendër infermierie dhe rehabilitimi, pranë shtëpisë së familjes së tij. Drejtoresha e qendrës tha se ajo ishte e tronditur dhe e trishtuar pasi Crooks e kreu punën e tij pa probleme dhe kishte një histori të pastër.
Crooks besonte në teori konspirative
Sipas të dhënave të FBI-së, Crooks nuk kishte histori të sëmundjeve mendore dhe nuk ishte aktiv në rrjetet sociale. Deri më tani është gjetur vetëm një llogari e tij e Discord, por ai rrallë postonte në të.
Analiza e rrëfimit të tij tregon se ai kurrë nuk diskutoi pikëpamjet e tij politike apo promovoi dhunën.
Ajo që po shqyrtohet tani është nëse burime të teorisë së konspiracionit e ndikuan atë në atë masë sa që “fëmija i ëmbël, i qetë dhe miqësor” u shndërrua në një atentator.
Megjithatë, deri më tani hetuesit nuk kanë mundur të identifikojnë ndonjë lidhje të 20-vjeçarit me organizata apo individë ekstremistë, por vazhdojnë të analizojnë informacionin nga celulari i tij dhe pajisjet e tjera dixhitale.
“Gjuajtësi i keq” që qëlloi në shenjë
Myers dhe një tjetër shok klase dëshmuan se Crooks u përpoq të bashkohej me poligonin e qitjes së shkollës, por u refuzua. “Ai dështoi dhe iu kërkua të mos kthehej pasi gjuajtja e tij ishte aq e keqe sa u konsiderua e rrezikshme”, thanë miqtë e tij.
Anëtarët e tjerë të ekipit të qitjes thanë se ai nuk ishte në nivelin e standardeve të ekipit dhe se qëllonte keq.
Crooks ishte regjistruar në një klub lokal të sportistëve, por profili i tij nuk përputhet me të shtënën që ai qëlloi ndaj Trump. Snajperët me përvojë raportojnë se gjuajtja e Crooks është ajo e një profesionisti dhe se për një joprofesionist, aq më pak një fëmijë i përshkruar si një “qitës i keq”, kjo është shumë e vështirë deri në e pamundur.
Siç shpjegojnë ata, nuk është vetëm distanca 120-150 metra. Është fakti se për të bërë një gjuajtje me saktësi të lartë, është e nevojshme të kontrolloni frymëmarrjen, pulsin, palëvizshmërinë, trajektoren dhe synimin, duke marrë parasysh erën dhe faktorë të tjerë.
Në rastin e tij, Crooks u ngjit në ndërtesë me shpejtësi, që do të thotë se do të mbahej qoftë edhe pak fryma, ndërkohë që e dinte se kishte pak kohë. Ai ishte i sigurt se do të vritej kur të identifikohej si kërcënim për kandidatin presidencial. Të njëjtat burime shpjegojnë se Crooks kishte vetëm një sekondë për të synuar dhe gjuajtur të shtënën e parë.
Dhe nga 8 të shtënat që ai arriti, njëra ishte në shenjë, duke pasur parasysh se Donald Trump ndërsa plumbi drejtohej drejt kokës së tij, u përkul për të parë një hartë që kishte para tij në podium dhe përfundoi duke u goditur në pjesën e sipërme të veshit.
Misteri mbizotëron edhe mbi armën dhe bombat. Sipas informacioneve, arma me të cilën Crooks qëlloi, e cila iu shmang kontrolleve të policisë dhe agjentëve sekretë të ngarkuar me sigurinë e Trump, është blerë ligjërisht në vitin 2013 nga babai i tij.
Është një pushkë gjysmë automatike AR-15, për të cilën nuk dihet se si kishte akses dhe me sa duket nuk ishte një armë me të cilën ai ishte veçanërisht i njohur. Pra, si ia doli ta realizonte këtë goditje?
Një i majtë që votoi konservatorët?
Crooks kishte veshur pantallona kamuflazhi dhe një bluzë me flamurin amerikan dhe logon e kanalit në YouTube Demolition Ranch kur qëlloi Trump. Ky është një kanal popullor me 11 milionë abonentë që promovon përdorimin e armëve për qëllime argëtimi (por nuk promovon dhunën). Kjo duket kontradiktore.