SPAK ka përfunduar hetimet për tjetërsimin e pronave në “Ranën e Hedhun”, dhe dërgohet për hetim ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar Gjykatës e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të 10 shtetasve që akuzohen se kanë abuzuar me pronat në bashkinë e Lezhës, kur mbanin funksionet e nëpunësve.
Gjatë hetimit të SPAK, ka rezultuar se nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara është përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milionë euro. Për këtë akuzë është marrë në cilësinë e të pandehurit edhe Altin Mikja, që cilësohet si përfituesi i pronave të tjetërsuara. Ish zyrtarët janë akuzuar të gjithë për shpërdorim detyre, ndërkohë që akuza për topografin Luigj Paloka është ai i falsifikimit të dokumenteve.
Personat e pandehur janë : Fran Frrokaj (me detyrë/në kohën e kryerjes së veprës penale, Kryetar i Bashkisë Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Gjok Ndoka (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, Sokol Toma (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Drejtor i Zyrës së Urbanistikës Bashkia Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Bledar Cara (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, jurist pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Nikolin Shtjefni (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Sokol Vocaj (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Gjovalin Marku (me detyrë, në kohën e kryerjes së veprës penale, nëpunës në Bashkinë Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Luigj Paloka (me detyrë “topograf” në kohën e kryerjes së veprës penale), i akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”; Adiona Martini (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, nëpunëse në Bashkinë Lezhë), e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Juxhina Mema (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, nënpunëse në Bashkinë Lezhë), e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Altin Mikaj (përfitues i pronave të tjetërsuara në mënyrë të paligjshme), i akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.