Sot në orën 20:00 opozita po zhvillon protestën e 10-të kombëtare. Opozita nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe kërkon rrëzimin e qeverisë Rama. Policia e Shtetit ka dhënë vetëm dy orë leje për të protestuar. 1200 forca policie në terren. Basha bën thirrje për pjesëmarrje.
Opozita e bashkuar prej orës 20:00 ka nisur protestën e saj të 10-të kombëtare. Ky është tubimi i parë i opozitës pas 30 qershorit. Në terren do të jenë 1200 forca policie dhe Policia e Shtetit ka dhënë leje vetëm dy orë më të protestuar, nga ora 20:00 deri në orën 22:00, duke i mohuar kështu kërkesën PD-së për të protestuar deri në mesnatë.
Një ditë më parë kreu i PD-së Lulzim Basha u bëri thirrje shqiptarëve të bëhen bashkë sot kundër diktaturës dhe të mbrojnë dinjitetin e familjeve dhe fëmijëve të tyre. Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se të rinjtë duhet t’i bashkohen protestës për një Shqipëri europiane. Dje nuk mungoi pa dhënë një mesazh kryeministri Edi Rama, i cili reagoi me një shprehje të Martin Lither King. Ndër të tjera theksohej: “Protestat e dhunshme ndjellin humbje”.
Theksojmë se vendi vijon të jetë në një krizë politike. Opozita nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit. Nga ana tjetër Presidenti Ilir Meta ka nxjerrë një datë të re për zgjedhjet, atë të 13 tetorit. Rama shfaqet i vendosur dhe quan të ligjshëm 30 qershorin. Njëkohësisht nga ana e socialistëve ka nisur edhe procedura për shkarkimin e Metës.