Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se kanë mbërritur ose janë rrugës për në Tiranë rreth 70 mijë qytetarë. Ata do të marrin pjesë në protestën përpara Kryeministrisë, e cila do të nisë në orën 19:00.
Njësoj si që nga 16 shkurti, protesta e parë kombëtare, kërkesa kyçe e protestave të opozitës është largimi i kryeministrit Rama dhe hapja e rrugës për një qeveri tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Këtë herë, sipas burimeve, një pjesëmarrje shumë më e lartë pritet nga 4 qarqet e veriut. Sipas përllogaritjeve të përafërta, nga Shkodra, Lezha, Dibra dhe Kukësi pritet të vijnë për të protestuar në Tiranë rreth 26 mijë protestues.
Nga Kukësi raportohen 4500 protestues që janë nisur me autobusë dhe mjete private, nga Shkodra raportohen 9900 protestues, nga Dibra 3900 protestues kurse nga Lezha 7700. Në shifrat e raportimeve nuk përfshihen protestues të cilët udhëtojnë në mënyrë private.
Protestues nga Jugu:
Edhe nga 4 qarqet e jugut, pjesëmarrja e qytetarëve në protestë pritet të jetë më e lartë sesa ajo e të dielës së shkuar.
Nga Vlora raportohet se do nisen për Tiranë 5500 protestues, nga Fieri priten edhe më shumë protestues, rreth 5800, meqenëse rajoni bujqësor i Fierit ka qenë edhe më i godituri nga kriza ekonomike. Nga Gjirokastra pritet të vijnë rreth 2700 protestues, kurse nga Berati rreth 3300 qytetarë.
Nga të 4 qarqet e Jugut, në protestën e sotme të kryeqytetit pritet të marrin pjesë mbi 18 mijë qytetarë, meqenëse shifrave të mësipërme, pritet t’u shtohen edhe protestues të tjerë, të cilët do vijnë për të protestuar në Tiranë jo në mënyrë të organizuar, por në mënyrë private.
Protestuesit nga qarqet e Shqipërisë së mesme
Nga qarqet Durrës, Elbasan dhe Korçë pritet të vijnë në Tiranë për të protestuar rreth 25 mijë veta. Parashikimet për pjesëmarrjen në protestë janë më të larta se ato të 2 qershorit. Kërkesa kryesore e protestave të opozitës është largimi i kryeministrit Rama dhe hapja e rrugës për një qeveri tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Nga 3 qarqet e Shqipërisë së Mesme, Durrësi pritet të ketë pjesëmarrjen më të lartë, me afro 9900 protestues, nga Elbasani raportohen 8500 protestues kurse nga Korça afro 5 mijë protestues