Dje më 17 tetor, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u mbajt protesta e madhe në mbështetje të komandantëve të UÇK-së që mbahen në paraburgim në Hagë. Mes mijëra protestuesve ishte edhe Ragip Xhaka, babai i futbollistëve të njohur shqiptarë të Kosovës Taulant dhe Granit Xhaka. Ragip Xhaka, një ish i burgosur politik dhe aktivist për çështjen kombëtare, njihet si emigrant dhe politikan i Partisë Demokratike të Kosovës ne Zvicër.
Zëri i mijërave qytetarëve që u mblodhën pasditen e së premtes në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë bëri jehonë ndërkombëtare. Mediat e huaja si Associated Press, The Telegraph, New York Post apo Washington Post kanë shkruar për thirrjet që u bënë për drejtësi ndaj gjyqit të padrejtë që po iu bëhet Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Associated Press shkruan se qytetarët u mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë për të protestuar kundër Gjykatës Speciale të Hagës të mbështetur nga BE, duke e cilësuar si të njëanshme, dhe që ndjek penalisht ish-luftëtarët e tyre që zhvilluan luftën e viteve 1998-1999 për pavarësi nga Serbia.
