Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ka zhvilluar një takim me blegtorët në Gjirokastër, të cilët kanë protestuar disa herë për çmimin e qumështit pasi baxhot e kanë fiksuar çmimin me 120 lekë/litër duke sjellë humbje të mëdha për ta.
Denaj thotë se institucionet nuk mund të ndërhyjnë për caktimin e çmimit, por se duhet të arrihet përmes bashkëpunimit mes blegtorëve dhe grumbulluesve.
“Politikat tona shkojnë drejt nxitjes së bashkimit të blegtorëve, interesave të tyre, për një fitim më të lartë dhe produkt më cilësor. Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me pushtetin vendor, do të vijojë të jetë mbështetje për blegtorinë, duke rritur investimet në infrastrukturën e ujitje-kullimit, fuqizuar sigurinë ushqimore dhe garantuar zgjidhje për kullotat”, vijon ministrja.
Blegtorët kërkojnë rritjen e çmimit të shitjes së qumështit, dyfishimin e subvencioneve, sistemimin e lerave malore dhe mundësimin e kontratave 15 vjeçare për kullotat.