Aktivistët e Just Stop Oil hodhën supë domatesh mbi kryeveprën e Van Gogh, “Luledielli” në Galerinë Kombëtare. Dy gra hynë në një dhomë të galerisë në sheshin Trafalgar në Londër rreth orës 11 të mëngjesit.
Ato hodhën përmbajtjen e dy kanaçeve me supë domatesh mbi pikturën e famshme të vitit 1888, e cila ka një vlerë prej 72.5 milionë Paund. Në video, shihen të dyja teksa vendosin njërën dorë në murin poshtë pikturës, e cila fatmirësisht është e mbrojtur nga një kornizë xhami.
Njëra prej tyre, 21-vjeçarja Phoebe Plummer thirri: “Çfarë vlen më shumë? Arti apo jeta? Jeni më të shqetësuar për mbrojtjen e një pikture? Apo të jetës sonë dhe planetit? Kriza e kostos së jetesës është pjesë e krizës së çmimit të naftës. Karburanti është i papërballueshëm për miliona familje të uritura. Ata nuk kanë para për më shumë se sa një kanaçe supë”, tha ajo teksa zbrazi një prej tyre.
Gulçe dhe reagime si “oh Zot!” dhe “sigurimi” dolën nga gojët e të pranishmëve kur kanaçja goditi pikturën. Sigurimi nxori vizitorët nga dhoma e më pas mbyllën dyert e saj.
Dy vajzat janë arrestuar për dëm kriminal dhe hyrje të dhunshme pa leje. Kjo është dita e 14-të e demonstratave të këtij grupi, i cili i këkron qeverisë të ndalojë licencat e reja të naftës e gazit. Prej disa ditësh, grupi ka bllokuar rrugët e Londrës, përfshirë ato drejt parlamentit.