Edhe të enjten në mbrëmje, disa qytete të Serbisë u ‘pushtuan’ nga protestat masive që fillimisht nisën në mënyrë paqësore, por më vonë u përshkallëzuan. Incidente u shënuan në Beograd, Novisad, Nish e Valjevo.
Në Novi Sad, protestuesit hynë me forcë në ambientet e Partisë Progresive Serbe (SNS), duke thyer xhamat, dëmtuar pajisjet dhe hequr kamerat e sigurisë. Ndërkohë, në Beogradin e Ri, një grup i vogël protestuesish hodhën fishekzjarre drejt ambienteve të SNS-së, ndërsa konteinerëve iu vu zjarri. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Përleshje të mëdha u raportuan edhe përpara Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, ku protestuesit u përplasën me forcat policore. Në rrugën Birčaninova, mbështetës të partisë SNS dhe protestues përdorën mjete piroteknike kundër forcave të rendit.
