Sot nisi regjistrimi i emigrantëve përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), që të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre politik për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Procesi i regjistrimit të emigrantëve do të zgjasë deri në 4 mars dhe Partia Socialiste duket se ka për qëllim ta shfrytëzojë maksimalisht këtë hapësirë kohore për të ndihmuar mbështetësit e saj në diasporë që të bëhen pjesë e procesit. Të majtët këtë fundjavë kanë zbarkuar në Itali dhe Greqi, duke ngritur edhe zyra që do të ofrojnë “asistencë teknike” me njerëz të dedikuar në qytetet me më shumë emigrantë shqiptarë.
Për këtë Bledi Çuçi, nënkryetar i Kuvendit ndodhet në Athinë. ”Në zyrën e hapur këtu në Atikën veriore ku ka nisur regjistrimi i votuesve jashtë vendit. Njerëzit tanë janë në dispozicion për të orientuar votuesit e qarkut Vlorë e këdo që ka nevojë për ndihmë e për të lehtësuar këtë proces historik. Kushdo që nuk e kryen dot vetë regjistrimin në faqen e KQZ le të paraqitet në këto zyrat për asistencë”.