Partia Socialiste ka intensifikuar përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit 2025, duke vijuar me mobilizimin e strukturave në disa bashki të vendit.
Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të PS-së, pritet të zhvillojë nesër një takim me strukturat politike të Tiranës. Mbledhja do të mbahet të premten, më 3 tetor, në orën 16:30, në sallën “Akrenia” të Hotel Tirana International. Struktura të ndryshme të PS-së janë njoftuar zyrtarisht për të garantuar pjesëmarrjen në këtë takim organizativ.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, do të udhëtojë drejt Burrelit, ku do të takohet në orën 14:00 me strukturat e Partisë Socialiste të Matit. Në këtë mbledhje pritet të marrin pjesë bashkëkryetarët e organizatave socialiste, të deleguarit për çdo qendër votimi, delegatët e Kongresit dhe përfaqësues të tjerë të partisë.
Ndërsa në Tiranë tashmë është vendosur kandidati që do të përfaqësojë socialistët në zgjedhje, në Bashkinë e Matit emri i kandidatit ende nuk është bërë publik. Burime nga PS bëjnë me dije se janë zhvilluar sondazhe për disa emra potencialë, ndërsa vetë drejtuesit lokalë shprehen të bindur për një fitore të sigurt në këtë bashki.
