Pavarësisht tërheqjes së Valdrin Pjetrit, pritet që të hënën të bëhet konstituimi i këshillit bashkiak të Shkodrës. Top Channel, raporton se Partia Socialiste është këshilluar me ekspertët ligjorë dhe do të vijojë procedurat për bashkinë e Shkodrës.
Këshilli i ri që do të betohet pritet të konfirmojë se mandati i Voltana Ademit si kryebashkiake ka përfunduar dhe zëvendësimi i saj do të bëhet me një prej nënkryetarëve. Një prej nënkryetarëve pritet të komandohet në krye të bashkisë deri në organizimin e zgjedhjeve lokale në Shkodër.
Valdrin Pjetri u tërhoq nga marrja e detyrës si kryebashkiak pas dokumentave të publikuara nga Partia Demokratike, ku rezulton se ka qenë i dënuar në Itali për shpërndarje droge në vitin 2003.
Pas publikimit të dokumenteve, Rama e pezulloi nga PS, deri në zbardhjen e plotë të vërtetës.
Prokuroria njoftoi sot se ka marrë shenjat e gishtave të Pjetrit dhe i ka kërkuar informacion zyrtar Italisë.