Qëndrimet kritike, veçanërisht ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj duket se do t’i kushtojnë Arben Malajt funksionin si anëtar Bordi i Bankës së Shqipërisë. Maxhoranca socialiste pritet të shkarkojë ish-ministrin e saj.
Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbledhur 28 firma, me anë të të cilave kërkojnë që Arben Malaj të lirohet nga posti i anëtarit të Bordit të Bankës së Shqipërisë.
Në letrën e firmosur nga socialistët theksohet se Malaj ka kryer shkelje etike në daljet publike, për këtë arsye ai nuk mund të jetë më pjesë e Bankës së Shqipërisë.
Ish-ministri i Financave në qeverinë Nano ka kritikuar vazhdimisht Edi Ramën dhe kursin e tij politik, duke moskursyer as ironitë, si ato për votimet e 30 qershorit, ku sipas shifrave zyrtare të KQZ me vështirësi u arrit pjesëmarrja 20%.