Partia Socialiste ka hapur fushatën elektorale sot në Durrës, ku në një takim me gratë dhe vajzat atje është prezantuar kandidatja për kryebashkiake në zgjedhjet e 6 marsit, Emiriana Sako.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Në fjalën e tij ai i bëri thirrje demokratëve që të votojnë PS-në pasi sipas Gjiknurit përçarësit e opozitës, Basha dhe Berisha, nuk meritojnë asnjë votë.
“Për Durrësin këto zgjedhje janë të veçanta pasi Durrësi ndodhet në një moment të veçantë. Ka shansin për tu transformuar totalisht. Ka mundësinë që të ketë zhvillimin më të madh të Mesdheut. Kjo sigurisht që kërkon sinergjinë mes Bashkisë dhe Qeverisë. Ndaj edhe vota për Emirjana Sakon është votë për zhvillimin e Durrësit. Ata luftojnë se kush del i parafundit. Ata luftojnë për mbijetesën e tyre politikë. Dhe për këtë do të shfrytëzojnë qytetarët durrsakë? Votoni PS që të bashkoni edhe PD-në. 2 përçarës të opozitës nuk meritojnë asnjë votë”, tha Gjiknuri.
Ndërkohë që kandidatja për kryetare Bashkie, Emiriana Sako, i tha grave dhe vajzave të pranishme se forca e saj e vetme në këto zgjedhje është puna.
“Para 13 vitesh kur hyra në bashki si specialiste arkitekte nuk ma merrte mendja që do ta kisha nëj mundësi të tillë. Për këtë falënderoj Kryeministrin Rama, Partinë Socialiste dhe çdo socialist të thjeshtë. Sot jam para jush jo për fjalë e premtime por i vetmi argumenti i imi është puna. Është e vetmja forcë e imja. Unë kam qenë krah Kryeministri Rama në çdo shtëpi që kemi rindërtuar. Ky projekt pas tërmetit ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm. Ne kemi projekte shumë të mira përpara. Dera jonë do të jetë e hapur për të gjithë”, tha Sako.
Sako kandidon më 6 mars përballë Luan Hotit të Partisë Demokratike dhe Ardian Mukës së ‘Shtëpisë së Lirisë’ të Sali Berishës.