Zëdhënësja e Partisë Socialiste Bora Muzhaqi në një dalje për mediat tha se tashmë mbetet procesi i numërimit të votave të kandidatëve, për të cilën tha se PS nuk do të tolerojë asnjë tjetërsim duke e konsideruar një krim zgjedhor.
“Krim zgjedhor tjetërsimi i votës për kandidatin brenda një partie. PS dhe Edi Rama janë të vendosur të mos tolerojnë asnjë grup numëruesish që me gjasa mund të shkelin ligjin dhe të bëhen bashkëpunëtor në një krim të tillë. Ky proces është i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe askush nuk lejohet ta dëmtojë shkëlqimin e deri tanishëm të procesit me njollosjen e transferimit apo tjetërsimit të votës së kandidatëve”, tha ajo.
Sakaq, Muzhaqi tha se për PS është i mundur realizimi i marrjes dhe të dy mandateve të tjerë, një në Durrës dhe një në Tiranë.
“Përtej numërimit përfundimtar të mandateve tani është koha për tu angazhuar, me të njëjtën përgjegjësi qytetare dhe ligjore në numërimin e votave për kandidatët.Vullneti i shqiptarëve që u shpreh përmes votës dhe angazhimit të 25 prillit duhet numëruar deri në fund me fshehtësinë e vet. Asnjë votë e asnjë kandidati nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të lejohet të tjetërsohet. Në emër të PS dhe kryetarit Edi Rama dua të bëj të qartë, së pari faleminderit me shumë respekt për të gjithë numëruesit e këtij procesi vendimtar për demokracinë dhe shoqërinë tonë, po dhe të gjithë angazhimin e deritanishëm. Së dyti, një falenderim të veçantë për numëruesit socialistë që pa u lodhur kanë punuar në respekt të qytetarëve dhe votës së tyre deri më tani”, tha ajo.