Tom Doshi nuk ka zyra partie. Socialdemokratët e tij kanë tre mandate në Kuvend dhe si parti parlamentare janë ankuar te kryekomisioneri Ilirjan Celibashi se nuk kanë zyra në bashkitë e vendit. Në një dokument që mban firmën e Tom Doshit, kërkohet prej Celibashit që të nxisë kryetarët e Bashkive për t’i mundësuar gjetjen e hapësirave të lira për zyra, pa pasur nevojë që të paguajnë palë të treta, por të jenë prona shtetërore.
Referuar rezultatit në zgjedhjet e vitit 2025 dhe 2021, Doshi deklaron se përmbushin të gjitha kriteret për të marrë këtë benefit nga shteti.
“Kemi kërkuar paraprakisht zyrtarisht nga organet e pushtetit vendor në 60 bashki të RSH-së që të na pajisin me ndërtesë për zyrat vendore të PSD-së. Nga përgjigjet zyrtare që kemi marrë nga organet e pushtetit vendor (bashkitë), jemi bërë me dijeni se vetëm Bashkia Elbasan ka disponuar ambient për pajisjen tonë me zyrë vendore dhe ndërkohë gjitha bashkitë e tjera na kanë njoftuar se nuk disponojnë ambiente të lira për subjektin tonë politik”, thuhet në kërkesën e PSD-së.


