Humbja e ndjenjave, e cila në gjuhën mjekësore njihet edhe si synkopi, është një gjendje e shpeshtë që shfaqet tek të gjitha grupmoshat, duke u bërë edhe më e pranishme tek ata persona që kanë probleme me zemrën.
Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, se cilat janë shkaqet që çojnë në gjendjen e të fiktit, apo humbjes së përkohshme të vetëdijes, e cila ka të bëjë me ndërprerjen e përkohshme të furnizimit të trurit me oksigjen dhe glukozë.
Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara simptomat që shoqërojnë këtë sëmundje, kategoritë që duhet të bëjnë më shumë kujdes, si dhe këshillat për të shmangur ndërlikimet e rënduara që mund të vijnë prej saj.
Çfarë kuptojmë me synkop?
Me synkop kuptojmë atë që në jetën e përditshme njihet si gjendje të fikëti, ose humbje ndjenjash. Të jesh pa ndjenja nuk është një gjendje normale, dhe ata që preken nga kjo ndjesi kërkojnë kujdes të specializuar mjekësor. Kjo veçanërisht në raste se kjo gjendje ndodh shpesh. Disa nga shkaqet e të fikëtit mund të paralajmërojnë një situatë të rrezikshme për jetën, por në shumicën e rasteve problemet janë të trajtueshme, çka do të thotë se me ndjekjen e rekomandimeve dhe trajtimeve të përshkruara nga mjeku, pacienti nuk rrezikon shëndetin e tij. Patologjia në përgjithësi ka të bëjë me humbjen e përkohshme të vetëdijes, e pasuar kjo nga një situatë e kthjellimit të plotë.
Pse ndodh kjo humbje e përkohshme e vetëdijes?
Truri i njeriut është i ndërtuar nga shumë zona, ndërmjet të tjerave dy hemisferat (e majta, dhe e djathta), si dhe truri i vogël. Truri për të qenë i zgjuar kërkon qarkullimin e vazhdueshëm të gjakut për t’u furnizuar me oksigjen dhe glukozë. Të paktën njëra nga hemisferat e trurit duhet të furnizohet pa ndërprerje. Në rastin e synkopit, kemi ndërprerje të furnizimit për një kohë të shkurtër, ose shumë të shkurtër. Duhet të dimë që synkopi nuk shkaktohet nga goditjet në kokë, pasi këto kanë klasifikim tjetër.
Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të kësaj gjendjeje?
Ulja e qarkullimit të gjakut në tru mund të ndodhë për tre arsye të ndryshme. Konkretisht mund të vijë nga shkaqe të tilla si: “Zemra nuk arrin të pompojë gjak mjaftueshëm, enët e gjakut nuk kanë tonusin, ose forcën e mjaftueshme për të mbajtur presionin e duhur të gjakut, si dhe nga kombinimi i të dyja arsyeve të përmendura”.
Konkretisht, si ndikojnë shqetësimet e zemrës në humbjen e përkohshme të vetëdijes?
Zemra është një pompë elektrike dhe nëse ka probleme me sistemin e saj elektrik (të përçimit), atëherë ndodhin çrregullimet e sistemit të zemrës. Ato mund të jenë bradikardia (ritmi i ulët), gjatë së cilës zemra nuk hedh dot sasinë e duhur të gjakut në qarkullim, apo edhe takikardia (ritmi i rritur), gjendje gjatë së cilës zemra nuk ka kohën e duhur për të hedhur mjaftueshëm gjak. Natyrisht ka edhe probleme të tjera të ritmit që çrregullojnë punën e zemrës. Në situatën e synkopit kontribuojnë edhe problemet me muskulin e zemrës (infarkti) dhe të valvulave të zemrës. Gjenda e synkopit mund të vijë edhe kur një person kalon shumë shpejt nga pozicioni shtrirë në atë në këmbë.
Çfarë duhet të bëhet në këto raste?
Kur jemi shtrirë trupi ka një qarkullim të njëtrajtshëm të gjakut, pra edhe truri është i furnizuar mirë. Kur ngrihemi menjëherë gjaku zbret poshtë si rezultat i pozicionit (forca e rëndesës) dhe organizmi nuk ka kohë të përshtatet. Kështu mund të ndodhë një zbrazje e menjëhershme e trurit nga gjaku në qarkullim dhe si rezultat mosushqyerje e trurit. Prandaj është e nevojshme që ndryshimi i pozicionit të bëhet në mënyrë graduale. Qëndrojmë në fillim në pozicionin ndenjur me këmbët varur te krevati dhe pastaj çohemi në këmbë.
A ndikojnë sëmundjet dhe substancat e ndryshme kimike në krijimin e gjendjes së synkopit?
Gjendja e të fiktit mund të vijë edhe nga prishja e ekuilibrit të disa substancave kimike (adrenalina dhe acetilkolina), të cilat mbajnë në ekuilibër impulset e zemrës dhe të trurit për të ruajtur qarkullimin e duhur të gjakut. Këtu ndikon lodhja e tepërt, dhimbjet e forta emocionale. Anemia është një shkaktar tjetër, pasi në këtë rast ulet sasia e oksigjenit që ushqen trurin. Po ashtu ulin volumin e gjakut qarkullues diarreja, të vjellat, urinimi i shpeshtë (nga diabeti, sëmundje të veshkave dhe prostatës). Situata e synkopit është e njohur gjithashtu edhe gjatë shatzanisë, përdorimit të medikamenteve të ndryshme, alkoolit dhe drogës. Të gjitha situatat që përmendëm kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm nga ana mjekësore.
Me çfarë simptomash shoqërohet?
Gjatë gjendjes së synkopit kemi një errësim total para syve dhe personi nuk mban më mend se çfarë ka ndodhur. Kjo mund të shoqërohet edhe me dobësim të muskulaturës, dhe në këtë rast personi rrëzohet kudo që ndodhet. Por, kjo mund të ndodhë në një kohë të shkurtër, ose shumë të shkurtër. Por, kjo situatë pasohet nga një kthjellim total dhe i shpejtë. Mund të kemi gjithashtu edhe situata parasynkopale, gjatë së cilave nuk shkaktohet deri në humbje të plotë të kontrollit. Këto situata nuk duhet të ngatërrohen me ndjenjën e vertigos (marrje mendsh) gjatë së cilës kemi turbullira, të vjella ose të përziera apo edhe çrregullime të ekuilibrit.
Si trajtohet problemi?
Natyrisht që trajtimi shkon sipas shkaktarit. Në radhë të parë kërkohen ekzaminime të plota dhe të kujdesshme për të evidentuar shkakun. Bëhen ekzaminimet klinike dhe biokimike të gjakut, të zemrës, të kokës. Pacientët qe vuajnë nga sëmundje të ndryshme duhet t’i kenë ato nën kontroll. Gjithashtu sportistët duhet të kryejnë kontrolle të rregullta mjekësore. Për të moshuarit duhet bërë kujdes përveç të tjerave edhe gjatë ndryshimeve të pozicionit. Ata duhet të këshillohen që të bëjnë ndryshime graduale nga njëri pozicion në tjetrin. Ndërkohë që në varësi të shkaktarëve të identifikuar mjekët përcaktojnë edhe llojin e trajtimit që duhet të ndjekë pacienti, jo vetëm sa i takon përdorimit të medikamenteve, por edhe ndryshimeve që duhet të bëhen në stilin e jetesës, etj. Sikundër e kemi theksuar edhe për shumë sëmundje të tjera, simptomat nuk duhet të neglizhohen dhe në asnjë rast nuk duhet të merret ndihmë nëpërmjet qetësuesve të farmacive, pa kaluar më parë tek mjeku specialist që bën vlerësimin korrekt të simptomave të paraqitura nga pacienti.