Shpesh herë në ditët e sotme dëgjojmë të thuhet “si është bërë ky brezi i sotëm”, “Sa vulgar që janë, nuk kanë pikë respekti”. Për pediatren Lira Gjika, aryseja pse sillen keq të rinjtë janë vetë të rriturit. Sipas saj detyra e adultit është të ndihmojë të parriturin përmes edukimit, ndërtimit të një sistemi vlerash që e drejton drejt respektit ndaj vetes, jetës dhe tjetrit.
“Por mesa duket, ne të rriturit nuk dimë të ofrojmë ndonjë gjë me vlerë, përveç parave dhe etiketimeve. Është gjëja më e lehtë të nxehesh edhe pse mund të jetë shumë e drejtë, por nuk është më e mira. Më e mira është të “vrasim” mëndjen për zgjidhje. Por mesa duket ne kemi frikë të “vrasim” mëndjen tonë, sepse siç e thotë dhe fjala, ne e perceptojmë të menduarin “vrasje” dhe ky akt të trëmb shumë”, thotë znj. Gjika.
SHKRIMI I PLOTE I PEDIATRES LIRA GJIKA
Pse sillen keq të rinjtë?
Në fakt është një pyetje që duhet tja bëjmë vetes ne të rriturit. Teorikisht, është detyra e të rriturit të ndihmojë të parriturin nëpërmjet edukimit, të ndërtojë një sistem vlerash, që e drejton drejt respektit ndaj vetes, jetës dhe tjetrit. Është detyra jonë, që edhe kur rëzohen e bëhen “pis”, ti nxitim të mos mbeten “pis”. Por mesa duket, ne të rriturit nuk dimë të ofrojmë ndonjë gjë me vlerë, përveç parave dhe etiketimeve. Është gjëja më e lehtë të nxehesh edhe pse mund të jetë shumë e drejtë, por nuk është më e mira. Më e mira është të “vrasim” mëndjen për zgjidhje. Por mesa duket ne kemi frikë të “vrasim” mëndjen tonë, sepse siç e thotë dhe fjala, ne e perceptojmë të menduarin “vrasje” dhe ky akt të trëmb shumë. Mesa duket ne nuk kemi frikë kur shajmë, por kur mendojmë, sepse na duket e njëjtë me vrasjen,( të paktën siç kuptohet nga shprehja) Sjellja e të rinjve të sotëm lë shumë për të dëshiruar, por është e njëjta mënyrë të sjelluri të të rriturve pranë tyre. Po të dëgjojmë fjalorin, që përdorim ne të rriturit e moshës së dytë dhe të tretë (femra meshkuj) në kafene, bilardo apo në rrugë, sidomos kur nuk na shkon ndonjë gjë për shtat, nuk pyesim, me kë jemi dhe ku jemi. Të njëjtën gjë bëjnë edhe të rinjtë, sillen e flasin si të rriturit. Lira Gjika.