Qeveria ka ndryshuar standardet për punësimin e përkohshëm në shtet për kryerjen e disa aktiviteteve të përkohshme. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, është fuqizuar ai i mëparshmi, i vitit 2008 në të cilin nuk përcaktohej sa ishte orari ditor i punës dhe përdorimi i të ardhurave dytësore të aktivitetit si dhe fondi i përballimit të këtyre aktiviteteve.
Në vendimin e ri, nr. 109 datë 6.3.2019 botuar në Fletoren zyrtare Punonjës me kontratë të përkohshme pune, në njësitë e qeverisjes qendrore, konsiderohen punonjësit e kontraktuar jashtë organikës së njësisë, të cilët realizojnë: një aktivitet që realizohet në një periudhë kohore jo më shumë se 6 muaj; një aktivitet që, pavarësisht se mund të shtrihet gjatë gjithë vitit ushtrimor, nuk zgjat më shumë se 6 orë në ditë; një aktivitet që realizon të ardhura dytësore, përdorimi i të cilave parashikohet në ligjin vjetor të buxhetit, për këtë qëllim.
Në këtë vendim risi janë dhe disa kategori që përjashtohen. Në pikën katër të tij thuhet:
Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për çdo ministri dhe institucion, miratohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave. Në këtë numër nuk përfshihen kategoritë e punonjësve, si më poshtë vijon:a) instruktorët e qendrave/shkollave të formimit profesional; b) punonjësit e anketave statistikore;c) punonjësit e kontraktuar në proceset zgjedhore/ paszgjedhore;ç) pedagogët e jashtëm/trajnerë të angazhuar në formimin profesional të magjistratëve;d) Punonjësit e Qendrave të Transferimit të Teknologjisësë Informacionit, të Agjencisë Kombëtare të Duhan-Cigareve dhe Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve.
Përsa i përket financimit për të punësuarit e përkoshëm në shtet, në vendimin e mëparshëm që tashmë është shfuqizuar thuhej se: fondet e nevojshme financiare për veprimtarinë sezonale ose të përkohshme përballohen nga buxheti i miratuar për ministrinë apo institucionin, buxhetor. Ky financim bëhej në dy mënyra : Për veprimtarinë sezonale ose të përkohshme, që bëheshin me prokurim, fondi përballohej nga shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes; Ndërsa për veprimtarinë sezonale ose të përkohshme, për marrjen në punë të personave me kontratë të përkohshme përballohej nga shpenzimet për personelin, nga fondet e kushtëzuara ose të pakushtëzuara të miratuara në ligjin përkatës të buxhetit.
Në vendimin e ri thuhet se Kërkesa për punonjës me kontratë të përkohshme bëhet vetëm kur institucioni disponon fondet e nevojshme financiare për mbulimin e shpenzimeve të këtyre punonjësve dhe, si rregull, kjo kërkesë paraqitet pas miratimit të ligjit të buxhetit të vitit pasardhës kalendarik. Kërkesa paraqitet pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e argumentuar dhe e shoqëruar me informacion të detajuar mbi numrin e punonjësve, pozicionin e punës dhe afatin kohor të kontraktimit.
Përsa i përket pagës së të punësuarit të përkohshëm në udhëzimin e 2008 thuhej se “punonjësi me kontratë të përkohshme paguhet në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, për pozicionin, për të cilin ai kontraktohet dhe merret në punë, në përputhje me kriteret e parashikuara për atë vend pune”.
Ndërsa vendimi i ri thotë se : Paga e punonjësit me kontratë të përkohshme përcaktohet në referencë të vendimit përkatës Këshillit të Ministrave, për pozicionin për të cilin ai kontraktohet. Për pozicionin “specialist”, paga e punonjësit me kontratë të përkohshme përcaktohet referuar kategorisë më të ulët të pagës së këtij pozicioni, në institucionin në të cilin ai kontraktohet.