Pas dekretimit të shkarkimit të tij si ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri bëri një bilanc të punëve të kryera në pesë vite e gjysëm, gjatë të cilave ai ka qenë në krye të kësaj ministrie.
“Mirënjohje pafund për të gjithë punonjësit e sektorit elektroenergjetik. Përmes angazhimit dhe sakrificës së tyre bënë të mundur realizimin e një ndër reformave më të rëndësishme në këto 25 vite. Gjetëm humbje të energjisë me 45% dhe sot ato janë vetëm 23,7%”, -rendit Gjiknuri.
Më tej, ai nënvizon se në 2013 totali i arkëtimeve kapte shifrat e 38,5 miliardë lekëve, ndërsa sot janë 65,7 miliardë lekë.
“Në vitin 2013 totali i arkëtimeve ishte 38,5 miliardë lekë, sot mblidhen 65,7 miliardë lekë. Askush sot nuk faturohet më afrofe. Numri mesatar i ankesave mujore është vetëm 0,7% e totalit të faturave të lëshuara ndaj konsumatorit. Në 5 vitet e fundit janë investuar mbi 600 milionë euro nga kompanitë publike në prodhim, transmetim dhe shpërndarje duke ndryshuar cilësinë e furnizimit tek çdo qytetar. Pesë vite më parë, kompanitë e sektorit mbijetonin në kurriz të buxhetit të shtetit, ndërsa sot janë kthyer në kontribuesit kryesorë të shtetit shqiptar dhe nxitës të rritjes ekonomike. Shtuam kapacitetet gjeneruese të energjisë ndërsa nxitëm dhe promovuam investimet për kapacitetet e energjisë së rinovueshme duke i shërbyer diversifikimit të burimeve energjetike”, – shpjegon ndër të tjera ai.
Gjatë këtij viti sipas tij, janë mbyllur 27 kontrata të lëna përgjysmë për rrugët, si dhe janë firmosur 13 kontrata të reja. Ndërkaq, Gjiknuri thotë se iu dha fund edhe ngërçit të trashëguar të autostradës Tiranë-Elbasan.
“Në vetëm 1 vit e gjysëm arritëm të përmbyllnin 27 kontrata rrugë të lëna rrugëve dhe firmosëm 13 të reja. Zhbllokuam dhe kthyem në gjendje pune kantieret dhe bypass-et e Fierit dhe të Vlorës ashtu sikurse u dhamë zgjidhje ngërçit të trashëguar të autostradës në projektin Tiranë-Elbasan. Rruga e Arbrit, aksi Kardhiq-Delvinë, Unaza e Madhe e Tiranës dhe bypass-i i Tepelenës tanimë nuk janë premtime por janë vepra në zbatim. Për herë të parë vumë në jetë programin e mirëmbajtjes duke ndërhyrë në 16 akse rrugore kombëtare, 250 km rrugë iu nënshtruan rehabilitimit, rikonstruksionit apo rregullimit të shtresave të asfaltimit. Transformuam rrënjësisht shërbimin ndaj qytetarëve në sportelet e drejtorive të shërbimit të transportit rrugor duke siguruar shpejtësi, efikasitet dhe shmangie të burokracisë“, – theksoi ai.
Ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri e vuri theksin në këtë bilanc edhe tek zhvillimi i projekteve të aeroporteve. “I hapëm perspektivën aeroportit të Kukësit dhe morëm hapat e duhura për vënien në jetë të aeroportit të Vlorës, ndërsa vazhdon puna për të garantuar uljen e tarifave aeroportuale që do të sjellin reduktim të kostos së biletave për qytetarët”, – tha ai.
Duke prekur sektorin hekurudhor, Gjiknuri tha se u rikthye në punë linja Fier-Vlorë ndërsa u gjet financimi dhe shumë shpejt fillon ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas. “Angazhimi maksimal i qeverisë shqiptare bëri të mundur që projekti i gazsjellësit TAP tashmë të hyjë me sukses në fazat përfundimtare, sikundër edhe nxitëm rrjetin e investimeve nga kompania e njohur SHELL”, – tha ai.
Qindra leje minerare në shkelje të ligjit u evokuan ndërsa pati rigjallërim të industrisë përpunuese të mineraleve në vend.
“Një falënderim i veçantë për Kryeministrin Rama, për besimin dhe mbështetjen që më dha si ministër, pa të cilën do ishte e pamundur të çoheshin përpara këto reforma. Kemi bërë shumë në këto 5 vite e gjysëm. Mund të kishim bërë edhe më tepër, e ndoshta disa gjëra mund t’i kishim bërë, por për asnjë moment nuk duhet të harrojmë nga ku e nisëm. Mbetet shumë për të bërë, për të kënaqur pritshmëritë e qytetarëve. I uroj sukses ministres së re të Energjisë dhe Infrastrukturës. Kam besim se do të jetë në gjendje të çojë përpara këto arritje me një ritëm më të shpejtë”, – theksoi ish-ministri Gjiknuri.
Mesazhi i fundit nga radha, por jo nga rëndësia, u takon qytetarëve të qarkut Vlorë.
“Kam qenë vazhdimisht me ju dhe në ndjekje të problemeve tuaja, por barra e detyrës që m’u ngarkua na i rralloi kontaktet njerëzore. Qershorin e ardhshëm duhet të çojmë përpara projektet e zhvillimit për t’u garantuar të shtatë bashkive të ardhmen që meritojnë. Ne kemi dëshmuar se sëbashku dimë të thyejmë rekorde dhe të dalim fitimtarë”, – përfundoi ish-ministri.